LSDM: Nga sjellja destruktive e VMRO-së dhe “Të Majtës” u lënduan policë të shtetit
Shkup, 5 korrik – Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ka reaguar ndaj veprimeve jo demokratike gjatë protestave të djeshme para Kuvendit dhe Qeverisë, duke potencuar se madje janë lënduar edhe disa zyrtarë policorë, informon Zhurnal.
Siç thonë nga LSDM, në ditën e pavarësisë së SHBAve, u pa në vepër dhuna e koalicionit anti NATO dhe anti BE e Hristijan Mickoskit dhe Dimitar Apasievit.
“Opinioni dje pa tentime për përsëritje të së enjtes së përgjakshme, më 27 prill të vitit 2017 nga ana e partive politike të cilat nuk ia mendojnë të mirën shtetit dhe qytetarëve.
VMRO-DPMNE dhe E Majta me çdo çmim tentojnë ta destabilizojnë shtetin, ta pengojnë procesin e eurointegrimit, duke punuar për interesa të huaja.
LSDM, institucionet dhe qytetarët nuk do të lejojnë që sjellja destruktive e VMRO-DPMNE-së dhe së majtës ta rrezikojë të ardhmen evropiane të shtetit, nuk do të lejojnë që shoqëria të kthehet prapa në izolim dhe ndarje”, thuhet në kumtesën e sotme të LSDM-së./Zhurnal.mk

