Xhaferi nga Greqia: Maqedonia e Veriut bëri gjithçka po ende po pret konferencën e parë
Shkup, 2 qershor – Edhe krahas të gjithë punës së bërë në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimin e parimeve themelore të të drejtës dhe rendit ndërkombëtar, Republika e Maqedonisë së Veriut, ende është në pritje të konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në paraqitjen e tij në sesionin e nëntë plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Asambleja Parlamentare mbahet në Athinë në kuadër të kryesimit grek me Procesin, ndërsa merr pjesë edhe një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, në përbërje të të cilit janë deputetët Martin Kostovski, Pavle Trajanov dhe Artina Qazimi, ndërsa Xhaferi foli në Debatin e përgjithshëm të sesionit plenar në temë: “Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm për mjedisin jetësor. Ndikimi i krizës ndaj Evropës Juglindore: siguri në furnizimin me energji dhe zinxhirin e produkteve bujqësore – ushqimore”.
Xhaferi foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe rolin e parlamenteve me bashkëpunim të ndërsjellë, rajonal, ndërparlamentar në drejtim të arritjes së qëndrueshmërisë së fuqishme, progres dhe mirëqenie në Evropën Juglindore.
“Duhet me keqardhje të kujtoj se Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe krahas të gjithë punës së bërë në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimin e parimeve të të drejtës dhe progresit ndërkombëtar – siç është përcaktuar në Konventën e Kombeve të Bashkuara, ende është në pritje të konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Atë që e presim nga kjo Asamble Parlamentare është që të vazhdojë të japë mbështetje në përputhje me të drejtën dhe vlerat e Bashkimit Evropian, në të cilat edhe bazohet. Sepse, vetëm bashkë, solidarisht dhe në nivel të njëjtë do të mund të përballemi me të gjitha sfidat të cilat i shkaktojnë efektet të cilat ndryshimet klimatike i sjellin në sferat e ndryshme të jetës, në mesin e të cilave paraprijnë edhe siguria e furnizimit me energji dhe zinxhiri bujqësor-ushqimor”, theksoi Xhaferi.
Shtoi se trendet globale, rajonale dhe nacionale të cilat paraqiten, ndikojnë edhe ndaj zhvillimit të vendit tonë, duke potencuar se edhe pse nuk dëshiron të tingëllojë pesimist, megjithatë, “parashikimet janë se kriza energjetike dhe ushqimore nuk do të ulen, por përkundrazi, do të rriten”.
“Ne duhet të jemi të gatshëm bashkërisht, në mënyrë të koordinuar dhe me sa më pak dëme t’i tejkalojmë ato sfida. Për këtë, sinergjia që vendoset në këtë forum dhe në të gjitha forumet e tjera ndërkombëtare është me rëndësi thelbësore për zhvillim dhe mirëqenie të shteteve dhe qytetarëve tanë”, potencoi kryetari i Kuvendit.
Theksoi se ai personalisht është ithtar i madh i diplomacisë parlamentare, sepse vlerëson se “si deputetë jemi në pozicion më të mirë që t’i artikulojmë aspiratat e qytetarëve tanë dhe të theksojmë se çka është me të vërtetë e rëndësishme”.
Shtoi se bashkë me pushtetin ekzekutiv, kanë përgjegjësi për progresin kombëtar drejt arritjes së qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.
“Jemi të vetëdijshëm se në këtë moment jemi në mes të krizës globale nga sfidat e paradokohshme të aspekteve kryesore në jetën e përditshme, megjithatë, edhe atë se ekzistojnë kërcënime bashkëkohore për të drejtat e njeriut. Ky është motiv plus që të bashkëpunojmë në mënyrë edhe më intensive. Të konsultohemi, të këmbejmë mendime dhe përvoja për arritje më efektive të qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, megjithatë të vendosim edhe inovacione dhe përkrahje teknike për qarkullim të pangarkuar të produkteve esenciale bujqësore-ushqimore, me përdorimin e platformave rajonale, si dhe mekanizmave të Bashkimit Evropian”, tha Xhaferi.
Ai potencoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga 193 vendet, të cilat zyrtarisht i kanë miratuar Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm nga Agjenda 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, të miratuar në Asamblenë e përgjithshme të KB-së në shtator të vitit 2015, duke sqaruar se Agjenda paraqet përmbledhje të 17 qëllimeve gjithpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, të shoqëruara me 169 qëllime specifike “qëllimi i të cilave përfundimtar është çrrënjosja e varfërisë, fund i pabarazisë, ndërtimi i paqes dhe ballafaqimi me ndryshimet klimatike deri në viti 2030, me këtë rast duke siguruar se askush nuk do të lihet anash”.
“Si rezultat i kësaj, në qershor të vitit 2020 e prezantuam edhe Pasqyren tonë vullnetare kombëtare para Forumit të lartë politik për zhvillim të qëndrueshëm. Qasja është përkrahur nga institucionet tona kombëtare, me këtë rast edhe nga Dhoma ligjvënëse, e cila ka rol kyç në pikëpamje të vendosjes së qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në legjislaturën kombëtare”, sqaroi Xhaferi.
Për Asamblenë parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, tha se “vazhdon të jetë zëri autentik i rajonit dhe forumit, ku po zhvillohet dialogu politik dhe ekonomik mes vendeve anëtare të kësaj Asambleje.
“Ky është vendi ku bëjmë përpjekje që të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore mes neve dhe të bashkëpunojmë, pasi me këtë po përforcohet stabiliteti dhe siguria në rajon, të cilat janë postulatet themelore të Kartës themeluese të Procesit të Bukureshtit. E ato janë në këtë moment më të rrezikuara më shumë se kurdoherë, dhe për shkak ky tubim është më se i mirëseardhur”, tha kryetari i Kuvendit, duke shfaqur shpresë se së bashku me kolegët e tij nga vendet e Evropës Juglindore do të kenë diskutim të frytshëm.
Pas diskutimit të shefave të delegacioneve, në fund të Sesionit të nëntë plenar të AP të APEJL pritet që pjesëmarrësit të miratojnë deklaratë finale.
Asambleja parlamentare e APEJL-së, ku anëtarësojnë parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore: Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Moldavisë, Rumanisë, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Serbisë, Turqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, qëllimet dhe detyrat e veta i bazon në parimet e pronësisë rajonale dhe integrimit evropian. AP luan rol të rëndësishëm në promovimin e pjesëmarrjes parlamentare dhe lehtësimin e dialogut parlamentar dhe bashkëpiunimit në rajon, si dhe në nxitjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Nga korriku i këtij viti, kryesimin rotues nga Greqia e ndërmerr Mali i Zi.

