DAP nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e tatimeve në Kroaci
Shkup, 26 maj – Drejtorët e Drejtorisë për të ardhura publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorisë së tatimeve të Republikës së Kroacisë, Sanja Llukarevska dhe Bozhidar Kutlesha, sot në Zagreb kanë nënshkruar Memorandum për bashkëpunim. Delegacioni i DAP ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i vendit në Kroaci, Milaim Fetai.
“Kjo është Memorandum i parë, i cili nënshkruhet me vend anëtar të Bashkimit Evropian, e me të cilin do të mundësohet këmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira. Me këtë dokument do të përforcohet bashkëpunimi i ndërsjellë, do t’i avancojmë marrëdhëniet jo vetëm mes dy institucioneve, por edhe mes dy shteteve. Ky bashkëpunim do të ndikojë edhe në zvogëlimin e procedurave byrokratike”, tha drejtoresha e DAP-së, Llukarevska.
Drejtori i Drejtorisë së tatimeve të Kroacisë, Kutlesha sqaroi se me Memorandumin edhe më shumë përforcohen marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i dy vendeve.
“Nga ky Memorandum, benefit do të kenë dy institucionet, por edhe qytetarët. Me Memorandum parashikohet bashkëpunim në sferat e punës së dy administratave tatimore, do të mundësohet këmbim i përvojave, transfer i diturive, përmirësim i punës së dy drejtorive të tatimeve, nxitja e harmonizimit vullnetar”, shtoi Kutlesha.
Drejtoria e të ardhurave publike, siç potencojnë në kumtesë, edhe gjatë periudhës së ardhshme do të vazhdojë me nënshkrimin e llojit të tillë të memorandumeve për bashkëpunim, e tërë kjo me qëllim të rritjes së bashkëpunimit me administratat tatimore në rajon dhe më gjerë.

