Zhurnal i kujtoi liderëve shqiptarë në RMV që duhet të reagojnë për ngjarjet në veri të Kosovës, nga BDI me reagime “skandaloze”!

Shkup, 12 dhjetor – Dy ditë pasi agjencia e lajmeve Zhurnal reagoi për heshtjen e pakuptimtë të liderëve shqiptarë kundrejt situatës së tensionuar në veri të Kosovës, reaguan të gjithë liderët e partive politike shqiptare në RMV, si dhe dy politikanët shqiptarë që bartin pozicione të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut. Edhe njëherë u dëshmua serioziteti i veprimtarisë së agjencisë së lajmeve Zhurnal që si medium onlajn nuk qëndron indiferent ndaj situatave të krijuara në vend dhe rajon. Nga reagimet e liderëve dhe politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të pakuptimta dhe si “skandaloze” vlerësohet të jenë reagimet e Ali Ahmetit, Artan Grubit e Bujar Osmanit, që në përmbajtjet e reagimeve të tyre nuk figuron askund agresori, Serbia, pra nuk dallohet kush është luftënxitësi, mungon përkrahja për Qeverinë e Kosovës, si dhe mungojnë apelet që të dënohet Serbia. E më mirë se këta ka reaguar shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, duke theksuar që Serbia po rrit tensionet dhe është luftënxitëse, shkruan Zhurnal.

Liderët politik në RMV reflektuan pas reagimit të Zhurnal për heshtjen e tyre –

Dy ditë pas reagimit të agjencisë së lajmeve Zhurnal mbi heshtjen e liderëve politik në Maqedoninë e Veriut, u vërejt një reflektim i menjëhershëm. I pari që reflektoi ishte kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, njëherit edhe kryetari i Komunës së Tetovës, pas tij ishte kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, po në të njëjtën kohë pas Ahmetit ishte edhe pasuesi potencial i tij, zëvendëskryeministri i parë në RMV, Artan Grubi, e menjëherë pas Grubit, me reagim mbi këtë situatë doli edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e krejt në fund dhe i fundit ishte kryetari i Alternatives, Afrim Gashi. Korrespondojnë të njëjtit emra për të cilat kishte vlerësuar edhe Zhurnal se po këta politikanë shqiptarë në RMV janë të obliguar dhe duhet ta ndjejnë përgjegjësi të reagojnë për këtë situatë.

Emri i politikanit shqiptarë nga RMV-ja që nuk pati fare nevojë të futet në listën e atyre që duhet të reagojnë, ishte Arben Taravari, ushtrues detyre i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, i cili ka reaguar në mënyrë të duhur e në kohë reale, duke u bërë edhe politikani i parë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut që reagon për situatën në fjalë.

Reagimet e politikanëve shqiptarë në RMV për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ato të BDI-së “skandaloze”-

Mbase ishin të vonuara por jo edhe të harruara fal mediave që përcjellin me vëmendje zhvillimet në vend dhe rajon, pas reagimit të ashpër nga Zhurnal që liderët nuk duhet të heshtin, kjo heshtje përfundoi dhe pasuan reagimet e menjëhershme.

Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes Besa, ka reaguar i pari duke shprehur mbështetje për kryeministrin Kurti, si dhe duke bërë apel për reagim të faktorit ndërkombëtarë.

“Unifikimi i spektrit politik është i domosdoshëm. Kështu, duke e mbështetur kryeministrin e Kosovës, policinë dhe shqiptarët atje, bandat kriminale shumë më lehtë do të mund t’i ndalojmë, të cilët të përkrahur edhe nga Serbia e mendësisë së vjetër dhe pro ruse, duan të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin. Bashkimit Evropian, SHBA dhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë, duhet të marrin seriozisht situatën në veri dhe të dënohen aktet e tilla”, ka shkruar Kasami.

Menjëherë pas Kasamit, ishte kryetari i BDI-së, partisë më të madhe shqiptare në RMV, Ali Ahmeti, ky i fundit për dallim nga Kasami, nuk ka ofruar ndonjë mbështetje për kryeministrin Kurti, por vetëm ka reaguar në cilësinë e një “këshilltari” të jashtëm që ngjanë sikurse të jetë lider i ndonjë partie politike në Lindje apo Azi, e asesi lider i një partie që vepron në shtetin fqinjë.

“Vini fund këtyre akteve të inskenuara për të nxitur dhunë dhe konflikt dhe përfundoni dialogun menjëherë me finalizimin e marrëveshjes që do të sjellë njohje të ndërsjellë mes dy vendeve”, ka shkruar Ahmeti.

Po në të njëjtën vijë ka reaguar edhe “problematiku” i BDI-së, njëherit edhe zëvendëskryeministri i parë në RMV, Artan Grubi, i cili sikurse lideri i tij ka dhënë “mësime” se çfarë duhet bërë në këtë situatë, dhe jo se çfarë mund të bëjnë këta si politikanë me ndikim në shtetin fqinjë.

“Të shmangen veprimet dhe retorika provokuese, të përforcohet angazhimi për zgjidhjen e kontestit mes dyja vendeve përmes njohjes së ndërsjelltë”, ka shkruar Grubi.

Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk kishte në reagimin e Bujar Osmanit, ministër i Punëve të Jashtme, se në reagimet e kryetarit Ahmeti dhe bashkë partiakut Grubi. Ngjashëm sikurse Grubi e Ahmeti edhe Osmani ka reaguar duke “këshilluar e mësuar” për atë se çfarë duhet të veprohet në këtë situatë të tensionuar.

“Heqja e të gjitha barrikadave dhe vendosja e sundimit të ligjit është e domosdoshme, inkurajojmë zgjidhje gjithëpërfshirëse në përputhje me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së”, ka shkruar Osmani.

Ajo që është e pakuptimtë dhe që konsiderohet si “skandaloze” është fakti që nga reagimet e politikaneve të së njëjtës parti, BDI-së, Ali Ahmeti, Artan Grubi dhe Bujar Osmani, vërehet një koordinim që në reagimin e asnjërit nuk përmendet askund Serbia(edhe pse është shkaktar dhe agresor i tensioneve) dhe as nuk bëhen thirrje për dënim të këtyre akteve kriminele që bëhen nga bandat serbe në veri të Kosovës. Si njëri dhe tjetri bëjnë apel për njohje reciproke, thua se tani palët janë në negociata, ndërkaq situata reale është që kufijtë janë të mbyllur, sulme të njëpasnjëshme, si dhe thirrje për futje të ushtrisë serbe në Kosovë. Por, edhe përkundër kësaj situate sërish mungon identifikimi i luftënxitësit nga këta politikanë.

I fundit nga politikanët shqiptarë në reagimin e tij për situatën në veri të Kosovës, ishte kryetari i Alterantives, parti shqiptare në pushtet, Afrim Gashi, i cili edhe pse me reagim të vonuar ishte i kompletuar në atë për çfarë edhe ka reaguar. Duke potencuar agresorin, Serbinë, dhe duke ofruar mbështetje për kryeministrin Kurti dhe shqiptarët në Kosovë.

“Duke i dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj liridashës, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që mos të lejojnë përsëritjen e skenarëve millosheviqianë, që sot i promovojnë çirakët e tij”, ka shkruar Gashi.

Kujtojmë që, Zhurnal ka potencuar me kujdes për heshtjen e liderëve për situatën në fjalë, që reagimin e vetëm dhe të menjëhershëm në kohën reale, duke u bërë edhe politikani i parë shqiptarë nga RMV-ja që ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, është ushtrues i detyrës së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili në reagimin e tij ka theksuar bandat kriminele të udhëhequra nga Vuçiq po shkaktojnë dhunë, dhe ka ofruar përkrahje për Qeverinë e Kosovës, si dhe ka bërë apel ndërkombëtarëve që të dënohet Serbia me pezullim të negociatave për anëtarësim në BE.

“Po i ndjekim me shqetësim zhvillimet në veriun e Republikës së Kosovës, ku bandat kriminale nën kontrollin e Presidentit serb Vuçiç po shkaktojnë dhunë me synim të mbjelljes së ndjenjës së pasigurisë dhe të frikësimit. Përkrahim plotësisht përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të NATO-s për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit”, ka shkruar Taravari.

Ndryshe, kur analizohen këto përmbajtje të reagimeve me një vështrim të detajizuar  krijohet mundësia e të kuptuarit se kemi të bëjmë me reagime “skandaloze”, ato të BDI-së, që bëjnë apel për njohje reciproke në kohën kur situata është në prag të përshkallëzimit, e që “harrojnë” të potencojnë se kush është agresori dhe luftënxitësi. E më mirë se këta politikanë shqiptarë ka reaguar shefja e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, e cila ka thënë atë se “Kosova i uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia e bënë të kundërtën. Ideja për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme” duke i vlerësuar si deklarime luftënxitëse ato të Serbisë, shkruan Zhurnal.