Zejd Rexhepi: Të gjitha partitë shqiptare në pushtet, e dëmshme për demokracinë!

Shkup, 1 shkurt – Partitë shqiptare numërojnë gjithsej 30 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, e vetëm dy prej tyre së shpejti do të ngelin në opozitë.

Viteve të fundit dhe Qeveritë e fundit, gjithmonë janë lëkundur nga lëvizjet e partive politike herë në shumicë e herë në opozitë ndërsa shumica parlamentare nuk ka qenë asnjëherë aq stabile sa të mos rrezikohet fare për funksionim të mirëfilltë, shkruan Zhurnal.

Shumica parlamentare aktuale numëron 64 deputetë por prishja e marrdhënieve mes anëtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, detyroi këtë shumicë të kërkojë “ortakë” të tjerë në menaxhimin me institucionet shtetërore dhe me vet shtetin. Si vullnetar u paraqit Aleanca për Shqiptarët, e cila me 8 deputetët e saj do të ndihmojë vendin në realizimin e programeve dhe në rrugën euroatlantike, edhe pse për rrugën euroatlantike, nuk është e domosdoshme për të hyrë në Qeveri, por këtë mund ta bësh edhe nga opozita.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut tani do të ngelet vetëm Lëvizja Besa me dy deputetët e saj, Fadil Zendelin dhe Bastri Bajramin. Në fillim kjo parti pati katër deputetë por Bilall kasami fitoi zgjedhjet lokale në Tetovë dhe u bë kryetar komune, ndërsa Kastriot Rexhepi ndau rrugët me bashkëpartiakët dhe tani shoqërohet me “grupin e zjarrit” të BDI-së.

Por sa e shëndetshme për shqiptarët është një opozitë me vetëm dy deputetë shqiptarë, ndërsa 28 të tjerë të jenë pjesë e pushtetit? Kush do t’a kritikojë dhe pengojë punën e Qeverisë aty ku gabojnë?

Deputeti nga radhët e Alternativës, Zejd Rexhepi, edhe pse është pjesë e shumicës parlamentare në Kuvend, është i mendimit se kjo nuk i bën mirë demokracisë dhe e rrezikon atë. Sipas tij mund të shkaktohet kaos demokratik për faktin që nuk ka kush ta kritikojë shumicën parlamentare.

Madje Rexhepi është i mendimit se edhe deri tani opozita nuk ka qenë mjaftueshëm e zëshme ndaj parregullsive në pushtet.

Fatkeqësisht, ngjarjet e fundit politike tek ne tregojnë më shumë mbrojtjen e interesave partiake të subjekteve qeveritare se sa interesat shtetërore apo të qytetarëve. Në një shtet që nuk ka opozitë të mirëfilltë, ai shtet është i destinuar të shkoj drejt një kaosi demokratik për faktin që nuk ka kush e kritikon qeverinë. Por edhe opozita aq sa është asnjëherë nuk e ka ngritë zërin kundër Qeverisë, andaj konsideroj se është e dëmshme për demokracinë dhe është e dëmshme edhe për mbarëvajtjen e proceseve të ardhme euroatlantike, është shprehur për Zhurnal, deputeti Zejd Rexhepi.

Përpos në Kuvend, shqiptarët janë bukur mirë të përfaqësuar edhe në eksekutiv.

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi: zëvendëskryetar i Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi; Ministër i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi; Ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani; Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini; Ministër i Financave, Fatmir Besimi; Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri; Ministër i Shëndetësisë, Bekim Sali; Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti; Ministër pa portofol i ngarkuar për diasporë, Xhemail Çupi.

Pra, nga 16 ministri, 8 udhëhiqen nga shqiptarët, si dhe dy zëvendës kryeministra. Kjo nënkupton se shqiptarët në këtë ekzekutiv kanë zënë vende të mira dhe kanë pushtet të mjaftueshëm për t’i ndryshuar gjërat në drejtim pozitiv.

Por edhe kjo sipas Zejd Rexhepit nuk ka funksionuar në dobi të shqiptarëve dhe arsyeja për këtë ka qenë se nuk ka patur kush t’i kritikojë ato.

Rexhepi shprehet për Zhurnal se është jo e natyrshme të gjitha subjektet politike të jenë pjesë e Qeverisë dhe se doemos të ketë opozitë të mirëfilltë.

Numri i lartë i ministrave shqiptarë nuk ka qenë në dobi të shqiptarëve, është i kufizuar në shumë segmente në shumë elemente të tjera shoqërore, kjo përshkak se është jo e natyrshme që të gjitha subjektet politike të jenë pjesë e Qeverisë dhe mos ketë kush ta kritikon veprimtarinë e qeveritarëve. Duhet doemos të ketë opozitë të mirëfilltë“, është shprehur Zejd Rexhepi për Zhurnal.

Ndryshe dje nga Lëvizja Besa për Zhurnal u shprehën se kjo parti do të vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj në opozitë dhe se nuk ka frikë të qëndrojë e tillë. Ata thanë se do ta shfrytëzojnë momentin për të artikuluar më mirë pakënaqësitë e qytetarëve ndaj qeverisë që nuk ka realizuar asnjë projekt të vetëm për qytetarët./Zhurnal.mk