Gjyqësori në labirint pa dalje/ E dëshpëruar madje edhe ambasadorja amerikane, a duhet të turpërohet dikush?

Shkup, 24 mars – Vitet kalojnë, ndërsa sistemi juridik në fakt po ngelë shumë larg nga reformat e paralajmëruara.

Stejt Departmenti përmes një raporti kishte dërguar kritika se shpesh po tejkalohen afatet ligjore për kompletimin e hetimeve, e për këtë nuk bartin asnjë pasojë. Lëndët po vjetrohen, proceset gjyqësore kthehen nga fillimi dhe vazhdimisht po shtyhen seancat.

Ish ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq, pati paralajmëruar se gjykatësit joprofesionistë do të sanksionohen ndërsa ato të ndershëm dhe që kryejnë punën e tyre në mënyrë të përgjegjshme, do të shpërblehen. A është shpërblyer ndonjë gjykatës deri më sot? Një gjë e tillë nuk ka dalë në opinion…

Sistemi gjyqësor konsiderohet si më i korruptuar sipas perceptimeve të opinionit. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski pati deklaruar se gjërat mund të përmirësohen. Shumë lëndë po tejkalojnë të gjitha afatet ligjore ndërsa disa prej tyre dhe janë vjetërsuar ndërsa për këtë opinioni mer vesh vetëm pasi të vjetërsohet. Para kësaj, nuk ka asnjë paralajmërim, shkruan Zhurnal.

Gjykata Kushtetuese për momentin punon në numrin minimum të gjykatësve ndërsa kryetarja e kësaj gjykate, Dobrilla Kacarska, vazhdimisht bën thirrje për emërimin e gjykatësve të rinjë, por nga Kuvendi nuk ka asnjë shenjë pozitive.

Sot në Shkup u mbajt konferencë gjyqësore ndërkombëtare. Në këtë konferencë mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kejt Meri Bërnz. Ajo nuk nguroi të drejtojë kritikat e saja ndaj gjyqësorit, sepse për këto kritika ajo ka prova.

Siç u shpreh sot ambasadorja Bërnz, Gjyqësia duhet të bëjë avancim në punën e tyre dhe të ketë kujdes që lëndët të mos shtyhen.

Ajo u shpreh se qytetarët fare nuk kanë besim në gjyqësor, e për këtë ka fakte se anketa e fundit e Eurothink kishte vënë në pah se vetëm 8% e qytetarëve kanë besim në gjyqësor. Kjo është mjerim.

“Nuk është sekret se opinioni nuk ka besim në drejtësi. Kthimi i besimit të opinionit mund të arrihet vetëm nëse secili prej jush shkon përtej betimit që keni bërë si gjyqtar. Mentoroni gjykatës të rinj. Lavdëroni pavarësinë tuaj kur përballeni me presion nga jashtë. “Shërbeni si shembull i gjykimit të paanshëm dhe jopartiak”, theksoi Bërnz.

Ndërkohë zv.ministri i drejtësisë Agim Nuhiu, edhe një herë përsëriti deklarimet e vazhdueshme të autoriteteve në pushtet se Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë kanë për qëllim të rritin kredibilitetin dhe besimin në sistemin gjyqësor, por kjo fatkeqësisht nuk po ndodhë.

Se nuk po ndodhë e konfirmoi gjithashtu edhe kryetarja e këshillit gjyqësor, Pavlina Crvenkovska. Ai vlerësoi se në dekadat e fundit shumë pak është punuar në kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Por kur do të ndodhin reformat dhe vetingjet e paralajmëruara?

Profesori universitar Bashkim Selmani, në një deklaratë për Zhurnal është shprehur se reformat e vërteta do të ndodhin vetëm atëherë kur të fillojnë nga gjyqtari i parë e deri te i fundit.

Sipas tij, reformat duhet të fillojnë që nga gjykatësit të cilët fshehin lëndë të ndryshme në sirtaret e tyre dhe qëllimisht i zvarritin që të vjetrohen.

“Kur bëhet fjalë për gjyqësinë në Maqedoni, nuk mund të ketë rizgjedhje e rizgjedhje dhe funksionim të shtetit të së drejtës, përderisa nuk bëhet një reformë gjenerale e cila duhet të fillojë nga gjyqtarët të cilët pas zgjedhjes së lëndës i mbajnë lëndët nëpër sirtarë me vite e me vite. Këta gjykatës kanë faj që nuk e lënë të funksionojë gjyqësori. Pa patur një reformë gjenerale të çdo gjykatësi, nuk do të ketë zgjidhje të sistemit gjyqësor”, u shpreh profesori Selmani.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Crvenkovska gjithashtu sot në konferencë bëri me dije se gjykatat kanë mungesë të gjykatësve. Sipas saj, nga 639 gjykatës, për momentin ka vetëm 473 ndërsa edhe 60 të tjerë, deri në fund të vitit pritet të shkojnë në pension.

Por sipas profesorit Selmani, arsyeja për mos funksionim nuk është kjo. Sipas tij, vet zvarritja e lëndëve gjyqësore është arsyeja e mos funksionimit pavarësisht nëse gjykatësit janë të stërngarkuar apo jo.

“Lëndët gjyqësore, edhe penale edhe civile kanë afate. Përshembull një lëndë civile duhet të zgjidhet për 300 ditë. Këta për 30 vjet nuk e zgjidhin. Në këto lëndë ka krime brenda në gjyqësi. Nuk ka lidhje a janë të ngarkuar apo stërngarkuar. Nëse nuk zgjidhet një lëndë në kohë, do të thotë se aty ose ka shkelje, ose intervenim ose korrupsion. Ka gjykatës që janë të suksesshëm por ka që edhe janë të korruptuar. E keqja e drejtësisë është nëpër lëndët gjyqësore dhe jo nëpër gjykata”, thotë Selmani më tej për Zhurnal.

Lidhur me paralajmërimet e vazhdueshme të partive politike në pushtet se do të ketë veting dhe reforma në sistemin gjyqësor, profesori Selmani është pesimist rreth kësaj çështje sepse nëse fillojnë reformat e vërteta, atëherë vet ato politikanë në pushtet duhet të përgjigjen të parët.

“Po të fillojnë vetingjet, ata do të jenë përgjegjësit e parë. Shumica e lëndëve që rrinë nëpër sirtare, janë me prapavija politike. Gjyqësia në Maqedoni ka edhe baza nacionale, ka baza politike ka edhe baza të individëve tjerë të caktuar që ka elemente korrupsioni e që kjo e bën joefikase këtë gjyqësor”, ka deklaruar për Zhurnal profesori Bashkim Selmani.

Ndryshe sot edhe kryetari i shoqatës së gjykatësve, Xhemail Saiti u shpreh se po i ndjekin vazhdimisht dobësitë që shfaqen në gjyqësor dhe po mundohen të kontribojnë në ngritjen e besimit në gjyqësi./Zhurnal.mk