Temperaturat e gushtit; si parashikohet gjysma e dytë e muajit?

Temperaturat gjatë fundjavës do të ulen deri në 36-37 gradë Celsius, ndërsa parametri i erës pritet të dobësohet, një lajm i mirë për vendin pas vatrave të rrezikshme të zjarrit, që tashmë fatmirësisht duket të jenë vënë nën kontroll.
Meteorologia e Meteoalb Lajda Porja ka treguar se mbetemi në vlerat deri në 27 gradë, me maksimumin në 38 gradë. Pas datës 17 gusht pritet freskim i metëjshëm i motit, me një rënie prej 2-3 gradë. Por 10 ditëshi i fundit i gushtit do të sjellë sërish rritje të temperaturave.
Lajda Porja:
Mbetemi në mbizotërimin e kthjellimeve në pjesën më të madhe të territorit shqiptar gjatë ditës së sotme, por po ashtu edhe gjatë fundjavës duke sjellë dominim të kthjellimeve në zonat bregdetare kryesisht dhe pjesërisht zonën qendrore, ndërsa në zonat malore herë pas here pritet të kemi kalime vranësirash por që nuk pritet të gjenerojnë reshje.
Përsa i përket vlerave termike, një rënie të tyre gjatë ditës së sotme, por edhe fundjavës, duke bërë që maksimumet në territorin shqiptar të shkojnë jo më shumë se 38 gradë celsius ditën e diel në zonat e ulëta, ndërsa në vendet bregdetare pritet që maksimumet të luhaten në vlerat 36-37 gradë celsius.
Lajm i mirë vjen përsa i përket parametrit të erës pasi gjatë ditës së sotme, por po ashtu dhe gjatë fundjavës, pritet që ajo të dobësohet ndjeshëm. Presim një freskim të motit pas datës 17, ku temperaturat e ajrit të kenë një rënie me 2-3 gradë celsius, por 10 ditëshi i fundit i këtij muaji sërish do mbetet me temperatura të larta në vendin tonë, por po ashtu pritet të jemi nën mbizotërimin e kthjellimeve në zonat bregdetare dhe të ulëta. Ndërsa në ato malore do të kemi prezencë të shpeshtë të vranësirave, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë rrebeshi të shkurtër shiu.