ITShKSh, vizitë Institutit francez në Shkup

Shkup, 23 shkurt – Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, i shoqëruar nga kryetari i Këshillit të ITShKSh-së, Sevdail Demiri dhe hulumtuesi shkencor, Ardian Ramadani, i cili është edhe përkthyes, vizituan Institutin francez në Shkup, si një antenë e rëndësishme e Ambasadës së Francës në Shkup dhe u takuan me këtë rast me drejtorin e ri të Institutit Francez, njëkohësisht këshilltar për bashkëpunim dhe veprim kulturor, Ygo Beshtel, si dhe me atasheun kulturor dhe zëvendësin e tij, Branko Çobanov.

Në takim drejtori Asani, uroi Beshtel për marrjen e funksionit të ri të drejtorit, duke i uruar suksese dhe mbarësi, e më pas i prezantoi atij misionin dhe punën e ITShKSh-së. Më tutje palët biseduan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy instituteve rreth projekteve konkrete të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe hulumtimit shkencor.

Në anën tjetër, drejtori i IFSH-së, Beshtel, u shpreh i gatshëm të realizojë bashkëpunim me ITShKSh-në në fusha përkatëse, me një institucion shkencor që po reflekton pozitivitet jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.

Palët u zotuan për vazhdim të komunikimit miqësor, përfshirë zbatimin e projekteve të interesit të përbashkët.

Drejtori i ITShKSh-së në fund i dhuroi Institutit Francez në Shkup disa nga botimet e reja në gjuhë shqipe, maqedonase dhe angleze.