Mungojnë kapacitetet për kujdesin ndaj të moshuarve

Shkup, 14 qershor medial.mk/ – Numri i qytetarëve të moshuar në Maqedoninë e Veriut po rritet, ndërsa bashkë me të rriten edhe nevojat për kujdes dhe kapacitete akomoduese.

Ndërsa shtëpitë shtetërore për të moshuarit nuk kanë kapacitete të mjaftueshme dhe ato private janë të papërballueshme për shumë familje, kryeministri sot mori pjesë në inaugurimin e një shtëpie private për të moshuar në komunën e Ilindenit.

Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, investime të tilla janë pjesë e zgjidhjes për nevojat në rritje të popullsisë së moshuar. Ai theksoi se paralelisht po planifikohet edhe rritja e kapaciteteve shtetërore për përkujdesjen e të moshuarve.

“Dy objekte janë në procedurë ndërtimi, ndërsa në të ardhmen, në përputhje me prioritetet, do të vazhdojmë edhe në këtë drejtim”, deklaroi Mickoski.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shoqatave të pensionistëve vlerësojnë se hapja e shtëpive private është pozitive, por theksojnë se shteti duhet të investojë më shumë në zgjerimin e kapaciteteve publike, veçanërisht në qytetet e brendshme, në mënyrë që një pleqëri dinjitoze të mos jetë privilegj vetëm për ata që mund ta paguajnë.

Trajçe Stanojkov nga Shoqata e Pensionistëve tha se çmimet në shtëpitë private janë të larta, mbi 40 mijë denarë për person, dhe se shumë pensionistë me të ardhura të ulëta nuk mund t’i përballojnë ato.

Sipas të dhënave të fundit, në vend funksionojnë 5 institucione shtetërore dhe 40 private për strehimin e të moshuarve. Çmimet në shtëpitë private fillojnë nga 40 mijë denarë e lart, ndërsa në ato shtetërore janë më të ulëta, por listat e pritjes mbeten të gjata.

Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi se numri i të moshuarve në vend po rritet vazhdimisht, ndërsa Enti Shtetëror i Revizionit së fundmi paralajmëroi se kapacitetet ekzistuese për përkujdesjen e tyre janë të pamjaftueshme.

Leave a Reply