Avokati i Popullit nënshkruan “Nismën për fëmijët”: E pajustifikueshme që mjekimi i tyre të bëhet me “GoFundMe”

Tiranë, 01 qershor, medial.mk/ – Me rastin e 1 Qershorit, Avokati i Popullit hapi dyert për iniciativën qytetare “Nisma për fëmijët”, ku një grup prindërish, me autorizim nga KQZ, po mbledhin firma për të propozuar një ligj i cili garanton financimin e plotë nga shteti për kurimin e fëmijëve brenda ose jashtë vendit.

Komiteti Nismëtar mblodhi firmat e stafit të institucionit dhe mori mbështetjen e z. Endrit Shabani për të shtyrë më tej Kuvendin për miratimin e këtij ligji.

“Nuk ka asnjë shtet aq të varfër sa të mos garantojë shëndetin e tyre. Është e pajustifikueshme që ne ende në Shqipëri na duhet të ngremë ‘GoFundMe’ për të financuar trajtimin shëndetësor të fëmijëve shqiptarë, në një shtet ku ligjërisht shëndetësinë e ka falas, ku ka një angazhim kushtetues, një të drejtë kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në veçanti fëmijëve. Unë refuzoj të pranoj që Shqipëria është aq e varfër sa na duhet të ngremë ‘GoFundMe’”, tha Avokati i Popullit.

Shabani njoftoi grupin nismëtar se Avokati i Popullit do t’i drejtohet Kuvendit duke kërkuar të realizohet një dëgjesë posaçërisht për këtë çështje.

“Ne të gjithë jemi në mbështetje institucionale të kësaj nisme. Ne do të ushtrojmë ato kompetenca kushtetuese që kemi për të kërkuar në Kuvend që të dëgjohemi vetëm për këtë çështje dhe sigurisht më pas për të monitoruar zbatimin e ligjit.  Unë e kam të vështirë të gjej kush do jetë ai deputet i Kuvendit të Shqipërisë që do votojë kundër apo do të injorojë një nismë që synon garantimin e shëndetit të fëmijëve shqiptarë”, tha Shabani.

Aktivistët Suela Koçibellinj dhe Ardit Konomi informuan se aktualisht kanë mbledhur rreth 17 mijë firma dhe bënë thirrje për mbështetje që gjatë javëve të mbetura të kalohet numri i kërkuar prej 20,000 nënshkrimesh.

Ata falënderuan Avokatin e Popullit dhe stafin për nënshkrimet dhe kërkuan mbështetje të mëtejshme për miratimin e nismës ligjore që asnjë fëmijë të mos ngelet pa mjekimin e nevojshëm për shkak të të ardhurave apo sistemit shëndetësor publik.

Komisionerja për të Drejtat e Fëmijëve, Alma Faskaj përgëzoi grupin e prindërve për iniciativën dhe garantoi se Avokati i Popullit dhe seksioni i posaçëm për fëmijët do të jetë krah tyre.

Leave a Reply