Hoxha me nënkryetarin e LDK-së: Kosova në moment të rëndësishëm politik dhe institucional
Prishtinë, 01 qershor, medial.mk/ – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha gjatë qëndrimit në Prishtinë zhvilloi takim me nënkryetarin e LDK, Lutfi Haziri, gjatë të cilit vlerësoi kontributin historik të kësaj force në shtetndërtimin e Kosovës dhe orientimin e saj euroatlantik, në frymën e vizionit të Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova.
Në një postim në rrjetin social “X”, kryediplomati shqiptar Ferit Hoxha u shpreh se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm politik dhe institucional, ku kërkohet përgjegjësi, maturi dhe bashkëpunim në funksion të interesit shtetëror dhe qytetar.
“Rikonfirmova se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo proces të rëndësishëm shtetëror e kombëtar dhe inkurajova bashkëpunimin për formimin pa vonesa të institucioneve të reja të paszgjedhjeve. Kosova ka dëshmuar tashmë pjekuri të lartë demokratike, qëndrueshmëri institucionale dhe një potencial të padiskutushëm për zhvillim e progress”, u shpreh Hoxha.
Po ashtu, ai shprehu bindjen se përmes unitetit institucional, dialogut politik konstruktiv dhe koordinimit të ngushtë me miqtë dhe aleatët e saj strategjikë, ajo do të vazhdojë të ecë me vendosmëri drejt realizimit të aspiratës së natyrshme për integrim të plotë në familjen euroatlantike.
“Dhe në këtë rrugëtim, Kosova do ta ketë Shqipërinë gjithmonë pranë, në çdo hap dhe në çdo kohë, si partnerin e saj më të afërt, mbështetësin më të qëndrueshëm dhe aleatin e përkushtuar në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për paqe, zhvillim dhe mirëqenie”, tha Hoxha.

