Protesta në Zvërnec, iu hiqet licensa dy subjekteve të kontraktuara për sigurinë fizike të pronës

Tiranë, 01 qershor, medial.mk/ – Policia e Shtetit njoftoi sot se pas protestës së datës 30 maj në Portonovë, Zvërnec, iu është hequr licenca dy subjekteve ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, të cilat ishin kontraktuar nga pronari për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në Portonovë, Zvërnec.

Policia njoftoi se, “në vijim të veprimeve administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe  ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje, konkretisht:

“Subjekti ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit”.

Gjithashtu sipas policisë, këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës. Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre”, njoftoi policia.

Më tej policia njoftoi se “punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit  nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore”.

Sipas policisë, në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Hetimet penale dhe administrative vijojnë.

Leave a Reply