Magyar synon të shkarkojë presidentin hungarez përmes ndryshimeve kushtetuese

Budapest, 01 qershor, medial.mk/ – Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar ka deklaruar se do të largojë nga detyra presidentin aktual, Tamas Sulyok përmes një ndryshimi kushtetues.

“Do të marrim vendimet e nevojshme me shpejtësi”, u tha sot Magyar gazetarëve, pas një vizite në rezidencën zyrtare të kreut të shtetit në Budapest, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Marta Gorog.

Të dielën kishte skaduar afati që Magyar i kishte vendosur Sulyok për të dhënë dorëheqjen vullnetarisht, pa ndonjë rezultat.

Afati që Magyar i kishte vendosur Sulyok, për të dhënë dorëheqjen vullnetarisht, përfundoi dje.

Magyar ka qenë në detyrë si kryeministër që nga 9 maji. Ai zëvendësoi kryeministrin e mëparshëm populist, Viktor Orban, pasi partia e tij e qendrës së djathtë “Tisza” (Partia Respekt dhe Liri) fitoi zgjedhjet parlamentare më 12 prill.

Në Hungari, presidenti zgjidhet nga parlamenti për një mandat pesëvjeçar. Sulyok u zgjodh president në vitin 2024, nga një parlament i dominuar atëherë nga partia “Fidesz” e Orban (Federata e Demokratëve të Rinj).

Vëzhguesit kanë vlerësuar se Sulyok ka vepruar si një figurë besnike ndaj Orban.

Magyar ka kërkuar dorëheqjen e kreut të shtetit që pas fitores së tij në zgjedhje, me argumentin se Sulyok nuk përfaqëson “unitetin e kombit”, siç kërkohet nga kushtetuta.

Nga ana e tij, Sulyok ka deklaruar se nuk sheh arsye për të dhënë dorëheqjen.

Partia e Magyar, “Tisza”, aktualisht kontrollon shumicën prej dy të tretash në parlament, e nevojshme për të miratuar ndryshime kushtetuese.

Magyar nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me planin e tij.

Pas fitores së tij në zgjedhje, ai ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e disa zyrtarëve të lartë të emëruar nga Orban, përfshirë krerët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe drejtuesin e autoritetit rregullator të medias.

Leave a Reply