MSHMS lançon Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027-2030
Tiranë, 01 qershor, medial.mk/ – Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë, lançoi Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030, një dokument strategjik që synon forcimin e sistemit të mbrojtjes dhe fuqizimin e të drejtave të çdo fëmije në Shqipëri.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në aktivitetin e organizuar për promovimin e kësaj agjende, theksoi rëndësinë e një qasjeje të re dhe gjithëpërfshirëse ndaj fëmijërisë, duke vendosur në qendër sigurinë, mirëqenien dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të rritet me frikë. Asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Dhe asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pas. Prandaj sot lançojmë Agjendën Kombëtare për Fëmijët 2027–2030 jo thjesht si një dokument, por si një premtim që do të bëjmë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve, shëndetin e tyre mendor, sigurinë online dhe për një Shqipëri ku çdo fëmijë ka mundësi të ëndërrojë dhe të ecë përpara”, u shpreh ministrja Sala.
Me sloganin “FËMIJË TË SIGURT, TË MBROJTUR, TË DËGJUAR”, kjo agjendë synon të vendosë në qendër nevojat, mirëqenien dhe pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, duke forcuar gjithashtu edukimin socio-shëndetësor dhe promovimin e një jetese të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Përmes këtij dokumenti strategjik, synohet të theksohet rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit, në krijimin e mjediseve të sigurta, mbrojtëse dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët.
Gjithashtu, agjenda promovon përgjegjësinë e përbashkët për të dëgjuar zërin e fëmijëve, për të garantuar ushqyerje të shëndetshme dhe zhvillim të plotë të tyre, si dhe për t’i mbrojtur nga çdo formë dhune, abuzimi, bullizmi, diskriminimi, shfrytëzimi dhe çdo rrezik tjetër, si në jetën e përditshme ashtu edhe në mjedisin digjital.
Ndërkohë politikat për përkujdesjen e fëmijëve vijojnë edhe përmes Programeve Kombëtare. Për periudhën Janar – Mars 2026 19218 fëmijë kanë përfituar nga programi i shikimit, 94782 femije nga programi i kujdesit dentar dhe 2940 vajza dhe 1343 djem nga vaksina HPV.
138 fëmijë kanë marrë këshillim dhe 20 raste janë referuar për periudhën Janar Mars 2026 nga Linja e Këshillimit ALO 116-111.
Ndërsa, në kuadrin e deinstiucionalizimit, numri i fëmijëve që jetojnë në institucione rezidenciale publike është ulur nga 246 në vitin 2021 në 199 në fund të vitit 2025, duke reflektuar zgjerimin e shërbimeve alternative dhe përmirësimin e mekanizmave të parandalimit.

