Zmbrapset sulm i madh i huthive në Detin e Kuq

Forcat detare të SHBA-së dhe Britanisë rrëzuan 21 dronë dhe raketa të lëshuara nga rebelët Houthi të Jemenit dhe 2 ushtritë paralajmëruan masa të mëtejshme për të mbrojtur korsitë ndërkombëtare të transportit.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, tha se “kjo është një situatë e paqëndrueshme”, duke sinjalizuar veprime të mëtejshme nga Britania dhe partnerët.

“Kjo nuk mund të vazhdojë dhe nuk mund të lejohet të vazhdojë.”

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se nuk u raportuan të lënduar apo dëme. Më vonë gjatë ditës, zëdhënësi i rebelëve Houthi, Yahya Saree, tha se militantët e mbështetur nga Irani qëlluan një numër të madh raketash balistike dhe anti-anije dhe dronë ndaj një anije amerikane që po “siguronte mbështetje” për Izraelin.

Sulmet kanë ndërprerë tregtinë ndërkombëtare në rrugën kryesore midis Europës dhe Azisë ku kalon rreth 15% e trafikut botëror të transportit. Shumë kompani transporti janë detyruar të ndryshojnë rrugëtimin e anijeve, duke bërë një udhëtim më të gjatë rreth Afrikës.

Sulmet izraelite në Gazën Jugore dhe Qendrore u intensifikuan të mërkurën, pavarësisht një premtimi nga Izraeli se do të tërheqë disa trupa dhe do të kalojë në një fazë tjetër të luftës për të mbrojtur civilët.

Palestinezët u mblodhën të mërkurën në mëngjes rreth rrënojave të një ndërtese të dëmtuar në Tal al-Sultan, në perëndim të Rafahut, shkatërruar si pasojë e një sulmi izraelit. Shumë viktima u transportuan në spital, ku gjithashtu është grumbulluar një numër i madh i të vrarëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë anuloi një mision të planifikuar ndihme në Gaza për shkak të sigurisë. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se katër nga punonjësit e saj u vranë kur ambulanca e tyre u godit nga një sulm izraelit në rrugën kryesore pranë Deir al-Balah. Dy pasagjerë në ambulancë u plagosën dhe më pas vdiqën. Izraeli ka vrarë më shumë se 23,000 palestinezë në Gaza.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në udhëtimin e tij të katërt në rajon, shkoi në Ramallah të mërkurën dhe takoi liderët palestinezë, duke përfshirë presidentin e Autoritetit Palestinez (PA) Mahmoud Abbas, në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Departamenti i Shtetit tha se Blinkeni shprehu mbështetje për një shtet palestinez, ndërsa presidenti Abbas i tha Blinkenit se asnjë palestinez nuk duhet të zhvendoset nga Gaza ose Bregu Perëndimor.

Jordania dhe Egjipti paralajmëruan kundër çdo pushtimi të ri izraelit të Rripit të Gazës dhe kërkuan që banorët të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre ndërsa mbreti i Jordanisë Abdullah dhe presidenti egjiptian Abdel Fatah al-Sisi u takuan të mërkurën në Akaba.

Uashingtoni ka frikë se lufta e Gazës mund të përhapë dhunën në të gjithë rajonin, me grupet e armatosura të mbështetura nga armiku i përhershëm i Izraelit, Irani, të cilat mund të nisin sulme solidariteti në Liban, Siri, Irak dhe Jemen.