Delegacioni amerikan në Nju Delhi për bisedime tregtare, ndërsa Trump synon marrëveshje të shpejtë
Nju Delhi, 01 qershor, medial.mk/ – Një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbërritur sot në Delhi për bisedime tregtare, me synimin për të arritur sa më shpejt një marrëveshje të përkohshme tregtare, raportoi “The Indian Express”.
Ndërsa ministri i Tregtisë së Indisë, Piyush Goyal deklaroi se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti, të dy palët mbeten të ndara në disa sektorë kyç.
India ka theksuar se do të mbrojë sektorët e ndjeshëm vendas, si bujqësia dhe industria e bulmetit, në çdo marrëveshje të mundshme.
Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga negociatori kryesor Brendan Lynch, do të zhvillojë bisedime gjatë katër ditëve të ardhshme.
Këto diskutime pasojnë negociatat e zhvilluara më herët në SHBA më 20–23 prill.
Një zyrtar deklaroi më herët se, qëllimi i vizitës është vazhdimi i diskutimeve për të finalizuar detajet e marrëveshjes së përkohshme dhe për të avancuar negociatat në kuadër të marrëveshjes më të gjerë tregtare dypalëshe (BTA), në fusha të ndryshme si qasja në treg, masat jo-tarifore, doganat dhe lehtësimi i tregtisë, si dhe promovimi i investimeve dhe siguria ekonomike.
Vizita e delegacionit amerikan vjen disa ditë, pasi përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, tha se pret të takohet “së shpejti” me Goyal për të finalizuar marrëveshjen.
“Përsa i përket Nju Delhit, kemi pasur shumë diskutime të rëndësishme. Kemi një marrëveshje kornizë me indianët. Javën e ardhshme po dërgoj një ekip atje. Pres të takohem së shpejti edhe me homologun tim. Do të doja të ishim në gjendje të finalizonim marrëveshjen tonë mbi bazën e kornizës së përbashkët që kemi rënë dakord”, tha Greer.
Rritet urgjenca, por mosmarrëveshjet mbeten
Si India ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me një ndjenjë urgjence, pasi një strukturë e re tarifore, pritet të zëvendësojë tarifat reciproke të presidentit Donald Trump, të cilat Gjykata e Lartë i shpalli të paligjshme, sipas burimeve të cituara nga “The Indian Express”.
Megjithatë, ndërsa palët mbeten të ndara për çështje kyçe, një zyrtar i lartë deklaroi se qeveria indiane preferon tarifën aktuale prej 10% në të gjithë sektorët, në vend të një marrëveshjeje që mund të cenojë vendimet sovrane, për blerjet e naftës dhe produkteve bujqësore të ndjeshme.
Ndërkohë, deklarata e përbashkët Indi–SHBA bën të ditur se India, ka pranuar të eliminojë ose ulë tarifat, për të gjitha mallrat industriale amerikane, dhe një gamë të gjerë produktesh ushqimore dhe bujqësore amerikane.
Mbetet e paqartë se çfarë koncesionesh të tjera kërkon administrata Trump, duke marrë parasysh se India tashmë ka pranuar disa prej tyre.
India dhe SHBA-ja po përpiqen të rindërtojnë marrëdhëniet e tensionuara, të cilat u përkeqësuan gjatë presidencës së Trump, kur u vendosën tarifa të larta dhe u shfaqën mosmarrëveshje për çështje të ndryshme gjeopolitike dhe tregtare.

