Zjarret djegin për së gjalli katër persona në dy vetura – të paktën 13 të vdekur në Kili

Të paktën 13 persona kanë vdekur në më shumë se 150 zjarre në Kili.

Katër persona u dogjën të gjallë në dy vetura të përfshira nga zjarret në rajonin Biobio.

Viktima e pestë është një zjarrfikës, i cili po përpiqej të shuante zjarrin në zonë.

Një helikopter që ndihmonte në shuarjen e zjarrit u rrëzua në rajonin Araucania, duke vrarë pilotin, një shtetas bolivian dhe mekanikun kilian.

Agjencia Kombëtare e Emergjencave konfirmoi se numri i të vdekurve ka shkuar në 13, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në të gjithë Kilin, 151 zjarre pyjore kanë përfshirë një sipërfaqe prej më shumë se 14 mijë hektarësh.

Shumica e zjarreve janë në rajonet Biobio dhe Nuble, ku qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Vala e të nxehtit që goditi Kilin do të vazhdojë, ndërsa temperaturat e larta do të shoqërohen me erëra të forta.

Ndryshe, raportohet se të gjitha forcat shtetërore janë të angazhuar për shuarjen e zjarrit ndërsa nuk dihet se sa shtëpi dhe ndërtesa janë djegur.