Zhurnal sjellë pesë masat emergjente që duhet të merren për shpëtimin e arsimit!

Shkup, 12 dhjetor – Ngjashëm sikurse për secilin vend edhe për shtetin tonë cilësia në arsim është tregues sesa jemi afër apo larg progresit e zhvillimit kolektiv. Prandaj, kur jemi te cilësia në arsim me automatizëm flasim për arsimin nga ai fillor deri tek ai universitar, si hallkë zëngjirore që për fat të keq nuk po funksionon si duhet. Agjencia e Lajmeve Zhurnal përmes këtij artikulli tenton të paraqes në mënyrë konkrete disa prej masave fillestare për shpëtimin e sistemit arsimor nga kjo gjendje emergjente që gjendet. Nuk përjashtohet asnjë masë tjetër, por radhitja është bërë sipas nevojës aktuale, ndërkaq arsimi është sistem që kërkon reforma të vazhdueshme për të prodhuar rezultate efikase, shkruan Zhurnal.

Çfarë duhet të ndërmarrë VLEN që të reflektojë ndryshimet në arsim?

  1. DEPARTIZIMI

Një nga problematikat kryesore që ka ngec zhvillimi i arsimit është partizimi i skajshëm i tepruar e i pa kontrolluar nga partitë politike. Kjo ka prodhuar që në arsim të punësohen edhe njerëz të paarsimuar, njerëz të papërgatitur e jo kompetent.

Partizimi i arsimit ka prodhuar ngatërresa mjaft të theksuara në funksionimin e tërë sistemit arsimor. Sepse, në shkolla të ulëta punësoheshin njerëz jo adekuat me çka kalonin nxënësit me dije të përgjysmuara, ndërkaq në Universitete bashkë me indekset e studentëve kërkoheshin edhe librezat partiake.

Prandaj, nevojë urgjente për intervenim në arsim është departizimi. Në mënyrë që të dominojë meritokracia, gjë që do të rregullojë funksionimin normal të arsimit. Pra, kur mësimdhënësit e profesorët ndodhen në ato pozita me bazë meritore edhe nxënësit e studentët do të kalojnë e do të diplomojnë vetëm nëse e meritojnë.

  1. FORMIMI I NJË KËSHILLI  PROFESIONISTËSH

Si masë sekondare në drejtim të përmirësimit të cilësisë në arsim nuk do mend që është formimi i një trupi apo këshilli profesionistësh, gjë që ndihmon edhe hapin primar departizimin, Pra, me automatizëm partitë politike largohen përjashtohen nga propozimet për reforma ata duhet të jenë ekzekutuesit.

Por, për të pasur propozime të duhura e për të adresuar në mënyrë adekuate problematikat e nevojat për reforma këtë punë mund ta bëjnë dhe dinë vetëm ata që janë të involvuar drejtpërsëdrejti në procesin arsimor. Pra, përmes formimit të një këshilli me numër të caktuar anëtarësh të cilët do të bëjnë hartimin e një strategjie efikase që duhet të aplikohet në sistemin arsimor.

  1. PËRMIRËSIMI I INFRASTRUKTURËS ARSIMORE

Për të pasur punë efikase e rezultate produktive në secilën fushë e punë nevojiten kushtet e posaçme. E njëjta gjë vlen edhe në arsim si një ndër hallkat më të rëndësishme të funksionimit të shoqërisë e shtetit në përgjithësi. Por, për këtë gjë janë të nevojshme edhe kushtet e duhura që mundësojnë punë e studim efikas.

Për shkollat e mesme kabinete adekuate, për Universitete krijim të linqeve për shkëmbime studentore për realizim të hulumtimeve në universitete të ndryshme të botës. Pajisja e laboratorëve në Universitete me materiale të nevojshme për realizim të studimeve. Pasurimi i kabineteve të informatikës me teknologjinë e fundit. E më e rëndësishmja shkolla të reja, me nxehje dhe infrastrukturë të duhur. Pasi akoma shumë shkolla brenda vendit janë të stërvjetruara, nuk plotësojnë as kushtet minimale për tu zhvilluar mësimi.

  1. MOTIVIMI MËSIMDHËNËSVE

Motivimi i mësuesve është një çështje e rëndësishme për të siguruar një arsim cilësor dhe një mjedis të shëndetshëm mësimor për nxënësit. Në përgjithësi, motivimi i mësuesve është një proces i kompleksuar, dhe një kombinim i faktorëve financiarë dhe emocionalë mund të ndihmojë në rritjen e angazhimit dhe performancës së tyre në klasë. Për të motivuar mësuesit me sukses, është e rëndësishme të kuptoni nevojat dhe interesat e tyre individuale dhe të përshtateni me to për të krijuar një mjedis të frytshëm të mësimdhënies dhe zhvillimit të tyre.

Nevojiten paga të drejta dhe të kënaqshme për mësuesit. Pagat e larta janë një motivim i fuqishëm për të punuar me zell dhe për të mbajtur një angazhim të lartë në punën e tyre. Përveç kësaj, duhet tu ofrohen mësuesve mundësi për të zhvilluar dhe për të pasur qasje në trajnime, seminare, dhe kurse të tjera profesionale që do t’i ndihmojnë ata të rriten në karrierën e tyre.

Gjithashtu duhet të organizohen ceremoni të ndryshme vlerësimi dhe çmime të vjetra për të nderuar mësuesit e shquar. Nëpërmjet kësaj krijohet edhe një garë mes mësuesve që cili prej tyre po e merr çmimin e merituar. E një fakt tjetër duhet tu ofrohet orar i përshtatshëm fleksibil në mënyrë që të jenë me energji të plotë për të punuar me nxënësit.

  1. PROVIMET PRANUESE

Si masë e radhës që është emergjente për ta përmirësuar arsimin është rikthimi i provimeve pranues në universitetet e vendit. Pra, gjithkund si në ato shtetërore ngjashëm edhe në ato private. Përmes kësaj, pakësohet mundësia që të studiojë secili që di vetëm shkrim e lexim. Në këtë mënyrë bëhet përgatitja e nxënësve nga shkollat e mesme për të vijuar studimet.

Përmes provimeve pranuese bëhet filtrim i studentëve pra me automatizëm ndalohet prodhimi i diplomave. E fillon epoka e studimit të mirëfilltë me çka në universitete do të kemi atë kategori studentësh që janë të përgatitur, kanë interes dhe janë të aftë për të studiuar. Pasi, nuk duhet të ketë kompromise në arsim, e as hatermbetje, duhet të ketë vetëm rezultatet të punës konkrete që bëhet.

 Përmes këtij artikulli Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka sjellë pesë hapa konkret si masat fillestare që duhet të ndërmerren në drejtim të shpëtimit të sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk