Zhduket 29-vjeçarja 7 muajshe shtatzënë, familjarët ngrejnë alarmin në polici

Giulia Tramontano, një 29-vjeçare shtatë muajshe shtatzënë, u zhduk nga Senago, në zonën e Milanos, të shtunën.

Alarmi është ngritur nga familja e vajzës e cila me profesion është agjente imobiliare. Giulia, me origjinë nga provinca e Napolit, jeton prej pesë vitesh në Senago me të dashurin e saj, i cili dyshohet se iu drejtua karabinierëve të qytetit milanez për të raportuar zhdukjen e saj. Përshkrimi i saj u shfaq në rrjetet sociale: flokë të gjatë dhe të hapur, lartësi 1.68 m, peshë rreth 68 kilogramë dhe një tatuazh që bie në sy në krahun e majtë.

Në këto orë karabinierët po dëgjojnë familjen dhe të njohurit e Giulia Tramontanos për të kuptuar kontekstin në të cilin vajza u largua nga shtëpia. E reja nuk ka pasur kurrë probleme psikologjike edhe gjatë shtatzënisë. 

Kontakti i fundit me familjen ishte të shtunën e kaluar dhe Giulia fliste me ta çdo ditë, gjë që nuk ndodhi të dielën. Madje nuk duket se ka pasur probleme në punë apo të ndonjë lloji tjetër.

Celulari i Giulia Tramontanos është i fikur, vajza nuk zotëron makinë dhe për këtë arsye ka gjasa të jetë larguar nga shtëpia në këmbë edhe nëse familjarët nuk shpjegojnë një largim vullnetar. Xhulia do të kishte me vete pasaportën e saj, ndërsa në shtëpi do të gjendeshin dokumente të tjera identiteti.