Zelenski e pastron Ukrainën nga ndikimi prorus – u janë marrë nënshtetësitë disa ish-politikanëve

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dje ua ka hequr nënshtetësinë disa ish politikanëve me ndikim, si hapi i fundit për të “pastruar” vendin nga ndikimet proruse.

“Sot nënshkrova dokumente përkatëse për të bërë një hap tjetër në mbrojtjen dhe pastrimin e vendit tonë nga ata që janë në anën e agresorëve”, tha Zelenski gjatë video-fjalimit të natës.

Zelenski nuk donte t’i përmendte emrat e tyre, por tha se ata kanë shtetësi të dyfishtë ruse.

Sipas mediave shtetërore ukrainase, lista përfshin disa politikanë kryesorë nga kabineti i Viktor Janukoviç, i cili ishte president prorus i Ukrainës nga viti 2010 deri në rrëzimin e tij në vitin 2014.

Në listë përfshihej edhe Dmitri Tabaçnik, ish-ministër i Arsimit dhe Shkencës, Andrij Kjuev, një ish zëvendëskryeministër dhe kreu i administratës së Janukoviç dhe Vitalij Zaharçenko, ish-ministër i Punëve të Brendshme, raportuan mediat ukrainase.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar, udhëheqja ukrainase ka hequr shtetësinë ukrainase të një numri të madh njerëzish dhe ka sanksionuar qindra individë dhe kompani ruse dhe bjelloruse.