Xhaferi uron ditën e Armatës

Shkup, 18 gusht – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i dërgoi urime shefit të Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral – nënkolonelit, Vasko Gjurçinovski dhe pjesëtarëve të Armatës me rastin e 18 Gushtit, Ditës së Armatë.

“Në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal më lejoni t’Jua uroj 18 Gushtin, Ditën e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut Juve, ushtarëve të të gjitha gradave, nëpunësve civilë në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në urimin e Xhaferit.

Në këto 30 vite pjesëtarët e Armatës i janë përkushtuar me vetëmohim detyrës së tyre fisnike për ruajtjen dhe sigurimin e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kontribuojnë çdo ditë në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.

“Profesionalizmi që e tregoni çdo ditë është për respekt të veçantë dhe është shembull për të gjithë; andaj qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë besim të madh në kapacitetet dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të Armatës. Kisha nderin dhe privilegjin që të jem pjesë e Armatës si oficer, e pastaj të kontribuoj në realizimin e qëllimeve Euro-Atlantike të Armatës si zëvendësministër dhe ministër i Mbrojtjes, periudha të karrierës sime të cilat i kujtoj me krenari”, theksoi Xhaferi.

Thekson se gatishmërinë dhe përkushtimin e Armatës sonë e njohu edhe bota, përmes pjesëmarrjes së barabartë të ushtarëve tanë në misionet paqësore ndërkombëtare, bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar të Armatës gjatë krizës së refugjatëve, e deri në anëtarësimin tonë të barabartë të dëshiruar prej kohësh në NATO në vitin 2020, me çka Armata zyrtarisht e mori vendin e merituar të rojtarit aktiv të paqes në botë.