Editorial/ Po sikur në Bullgari 25% e popullatës të ishin maqedonas etnik

Shkup, 14 Maj, medial.mk/ – Imagjinojeni për një moment situatën sikur në Bullgari 25% e popullatës të ishin maqedonas etnik e të drejtat e tyre do të ishin të kufizuara nga shumica bullgare.

Imagjinojeni në një situatë të këtillë imagjinare, sikur studentët etnik maqedonas në vendin fqinjë të mos lejoshin të hyjnë në provimin e jurisprudenës në gjuhën maqedonase nga institucionet e dominuara nga bullgarët.

Imagjinojeni sikur në krye të refuzimeve të një kërkesë të këtillë të ishte një ministër bullgar i drejtësisë.

Imagjinojeni kryeministrin Rumen Radev, gjithnjë në një situatë pra imagjinare, t’ju thoshte nje herë në javë, e tash e tre muaj, studentëve protestues etnik maqedonas se “së shpejti” do të ketë një “zgjidhje”, se do të bëhet një propozim-ligj i cili pastaj do të dërgohej në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës (KiE) për shqyrtim.

Imagjinojeni përsëri se me datë 18 Maj studentët etnik maqedonas në Sofje do të mbajnë protestën e dytë me të njëjtën kërkesë, e Radev t’iu thoshte përsëri të njëjtin premtim se zgjidhja do të bëhet “shpejt”.

Por kjo situatë imaginare, nuk është imagjinare sot në Maqedoni të Veriut.

Ajo sot është tema kryesore e politikës së brendshme tek marrëdheniet ndër-etnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, të cilat së fundi nuk janë ashtu siç shpresohej se do të jenë.

Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski e ka këtë situatë reale në kohën e tashme, pra sot, dhe me potencial përkeqësimi të marrëdhenieve ndër-etnike në vendin të cilin ai e udhëheqë bashkë me shqiptarët e VLEN-it, e maqedonasit e ZNAM-it e Stoilkoviçin serb.

Hristijan Mickoski dje u ankua se BDI po kërkon që përmes studentëve të krijojë konflikt, trazira e protesta në Maqedoni.

Por a e ka këtë synim BDI apo jo, kjo përballë thelbit të problemit është më pak e rëndësishme.

Sido që të jetë synimi i BDI-së apo edhe përkrahësve të BDI-së e të studentëve që vijnë nga Tirana, siç ishte vizita e fundit e ish-ministrit Pirro Vengu, zgjidhja është shumë e lehtë.

Nuk janë vetëm BDI e opozita shqiptare përkrahës të kërkesës së studentëve.

Janë krejt shqiptarët e Maqedonisë, pra edhe politikanët e VLEN e votuesit e tyre pra.

Si shef i qeverisë, vendimi për Mickoskin është i lehtë: Studentëve duhet t’iu lejohet menjëherë hyrja në provim në gjuhën shqipe.

Zgjidhja praktike e menjëhërshme këtë muaj apo në qershor duhet të jetë kjo : le të zëvendësohet posti i ministrisë së drejtësise më një ministër nga radhët e VLEN, e ZNAM të marrë një ministri që e ka VLEN-i tash.

Më ketë shkëmbim nuk ka nevojë që ZNAM të dëbohet nga qeveria për shkak të Filkovit i cili refuzon kërkesën e drejtë të studentëve shqiptarë.

Ky vendim i menjëhershëm i Mickoskit do të zgjidhte kërkesën e studentëve tash dhe zbehte shqetësimët për ngritje tensionesh e prishte të marrëdhënieve ndër-etnike, e pastaj le të vazhdojë çështja e reformave ligjore për të ardhmen, me apo pa mendim të Komisionit të Venecias.

Ruajtja e marrëdhenieve ndëretnike dhe stabilitetit të vendit kërkon masa të menjërhershme e jo kalkulime për vota.

Elektorati maqedonas e do Maqedoninë stabile. Shqiptarët po aq. E stabiliteti ndërtohet kur qytetarët e vendit nuk kanë nevojë për të mbushur rrugët në protesta për gjuhën e tyre. Stabiliteti prishet kur qytetarëve u shtjerren mënyrat tjera për zgjidhje problemesh pos të dalin në rrugë. E kur këto probleme janë çështje bazike etnike, stabiliteti zbehet shumë e rrezikon që të prishet në dëm të shpresave të përbashkëta për të ardhmen e vendit.

Nuk jemi në një situatë imagjinare në Bullgari. Jemi në një situatë reale të tashme dhe përsëri të frikshme në Maqedoni.

Kushdo që fshihet pas BDI-së nuk ka rëndësi se kush është e nga vjen. Shteti ruhet e mbrohet nga tentativat e jashtme për destabilitet me bashkë-qytetarët, në këtë rast edhe me studentët shqiptarë. Ata duan të shijojnë gjyhën e tyre shqipe ashtu dhe po aq sa edhe maqedonasit.

Zgjidhjet i bëjnë njerëzit. Vendimet i bëjnë njerëzit. Ligjet i bëjnë njerëzit.

Të ardhmen e Maqedonisë e vendosin qytetarët e Maqedonisë dhe politikanët e tyre, e askush jashtë saj, as në Tiranë, as në Prishtinë, as në Bruksel apo ndonjë kryeqytet tjetër, e as katër apo pesë anëtarë të Komisionit të Venedikut. / medial.mk/

Leave a Reply