Bullizmi dhe dhuna në shkolla, zgjiidhja përmes besimit prind-fëmijë
Shkup, 14 maj medial.mk/ – Rastet e dhunës në shkolla po marrin përmasa serioze, alarmojnë ekspertët. Ata theksojnë se fëmijët po kalojnë deri në 10 orë në internet, ku shpesh ekspozohen ndaj përmbajtjeve agresive që normalizojnë sjelljet e dhunshme. Dragi Zmijanac nga "Megjashi" thekson se zgjidhja nis nga kontrolli dhe besimi prindëror.
"Në Maqedoni kemi problem serioz me dhunën bashkëmoshatare, jo vetëm fizike, por edhe verbale e kibernetike. Vështirë vendoset kontrolli prindëror, si edhe më vështirë besimi prind-fëmijë. Nxënësi duhet të jetë aktiv në krijimin e mjedisit të sigurt, e për këtë duhet kohë dhe aktivitete jashtëshkollore që e ulin praninë e tyre në internet.", – deklaroi Dragi Zmijanac nga Ambasada “Megjashi”.
Për të krijuar një ambient të sigurt, vlerësohet se nxënësit nuk duhet të jenë vetëm vëzhgues, por pjesë e vendimmarrjes. Gjatë diskutimit u bë e ditur se shpesh ka dallime mes asaj që raportojnë të rriturit dhe asaj që përjetojnë fëmijët.
"Shpeshherë kemi dy botë të ndryshme: botën e të rriturve dhe botën e nxënësve. Ne duhet të shkojmë në shkolla dhe t'i pyesim direkt nxënësit se si ndjehen dhe a përfshihen vërtet në vendime. Nuk mjafton vetëm të plotësohen dokumentet, duhet të shohim realitetin e tyre.", – theksoi Zoran Ilievski nga Koalicioni i Organizatave Rinore.
Projekti "Aktivizmi Shkollor" synon që kjo frymë bashkëpunimi të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit, duke trajnuar shërbimet profesionale për të reaguar në kohë ndaj çdo forme të bullizmit. Deri tani, ky projekt ka përfshirë mbi 8 mijë nxënës dhe 50 shkolla në mbarë vendin. Mesazhi i sotëm ishte i qartë: Siguria në shkolla nuk është vetëm mungesë e dhunës fizike, por krijimi i një hapësire ku çdo fëmijë ndjehet i respektuar dhe i dëgjuar.

