Xhaferi – Guliyev: RMV dhe Shqipëria sa më shpejtë t’i fillojnë negociatat

Shkup, 10 maj – E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe është e nevojshme që sa më shpejt Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat e para-anëtarësimit me Unionin, për shkak se procesi i zgjerimit të BE-së promovon paqen afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin.

Kështu kanë përfunduar në takimin e sotëm kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Përfaqësuesi Special për Evropën Juglindore Azaj Gulijev, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Siç informon shërbimi për shtyp i Kuvendit në takim morën pjesë: Igor Janushev, shef i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Monika Zajkova, anëtare e Delegacionit, Dime Velkovski, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Berat Ajdari, zëvendësanëtarë të Delegacionit dhe ambasadori Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Në takim u shkëmbyen mendime për gjendjet në vend dhe rajon, si dhe për aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që është e vetmja organizatë parlamentare në strukturën e Organizatës dhe kryen rol të lidhjes vitale ndërmjet pjesës qeveritare të OSBE-së dhe deputetëve që janë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, si dhe me Misionin e OSBE-së në Shkup, me qëllim të forcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik dhe promovimit të barazisë gjinore. Ai shprehu shpresë se vizita e sotme, si dhe vizitat në Shqipëri dhe Mal të Zi në ditët në vijim, në masë të madhe do t’i mundësojnë përfaqësuesit special Gulijev më për së afërmi të njihet me situatën në rajon.

Gulijev, siç citohet, informoi se qëllimi i vizitës së tij është të fitojë njohuri për zhvillimet në vendet dhe në rajon, si dhe të riafirmojë përkushtimin e OSBE-së për promovimin e dialogut në të gjitha segmentet e shoqërisë, veçanërisht në nivel parlamentar. Në këtë drejtim, ai promovoi idenë e krijimit të një platforme joformale për dialog ndërmjet deputetëve-anëtarë të AP të OSBE-së në rajonin e Evropës Juglindore, e cila mori mbështetje unanime nga kryetari Xhaferi dhe deputetët.

Në takim u bisedua edhe për kryesimin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, me ç’rast u theksua rëndësia e bashkëpunimit me dimensionin parlamentar të Organizatës në përcaktimin e prioriteteve, zbatimin e aktiviteteve të shumta dhe ballafaqimin e sfidave në kuadër të kryesimit.

Bashkëbiseduesit gjithashtu u përqendruan në situatën e Ukrainës, si dhe në krizën e sigurisë, atë humanitare, ekonomike dhe energjetike dhe përfunduan se në kësi momente kryesore kritike, OSBE-ja duhet të jetë platformë kryesore për angazhimin e përbashkët në tejkalimin e dallimeve dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.