Xhaferi: Fitër Bajrami të sjellë paqe, harmoni dhe mirëqenie për të gjithë

Shkup, 2 maj – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ua uroi festën myslimane Fitër Bajrami pjesëtarëve të besimit islam.

Xhaferi në urim porosit që Fitër Bajrami të sjellë paqe, harmoni dhe mirëqenie për të gjithë.

“Më lejoni që në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të uroj ditën e parë të festës së madhe myslimane, Ramazan Bajrami, të gjithë besimtarëve të konfesionit islam në vend dhe kudo që gjenden jashtë tij, me shpresë se muaji që e lëmë pas, agjërimi, lutjet e devotshme dhe veprat e mira ndaj qenieve njerëzore në nevojë arritën të na pastrojnë shpirtrat, mendimet dhe trupin nga mendimet negative, ndikimet helmuese dhe veprimet e palakmueshme”, theksoi Xhaferi.

Ai shpreh shpresën se festa do të nxisë ndërgjegjen më të lartë, siç thotë ai, respektin e ndërsjellë, ndjenjën e solidaritetit dhe humanizmit.

“Shpresoj se të gjithë besimtarët e devotshëm do e mirëpresin Bajramin në një dimension më të lartë të fisnikërimit dhe ndërgjegjësimit të mendjes dhe trupit, dhe se atë energji do e ndajnë me të afërmit, me miqtë dhe të njohurit, që fryma dhe aroma festive ti përmbushë të gjitha shtëpitë dhe të rrezatojë ngrohtësi dhe dritë e cila do i ngrohë zemrat, do të sjellë paqe dhe qetësi në shpirtrat dhe do të udhëzojë kah ndërtimi i respektit të ndërsjellë, ndjenjës së solidaritetit dhe humanizmit. Këto janë kohëra të vështira të sprovës për njerëzimin, krizat ndërlidhen njëra pas tjetrës. Le të na bashkojë festa të gjithë në lutjet, le të sjellë paqe, harmoni dhe mirëqenie për të gjithë. Edhe njëherë, urime Ramazan Bajrami dhe për shumë vite ta festojmë”, shkruan në urim Xhaferi.