Vuçiq në shënjestër të mediave gjermane, falsifikoi akuza ndaj opozitarit Gjilas

Gazeta gjermane, “Die Zeit” botoi një artikull ku thuhej se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq shfrytëzoi informacione të falsifikuara nga një grup hakerësh izraelitë për të nisur një fushatë kundër opozitarit, Dragan Gjilas.

Pas zbardhjes së skandalit të madh për grupin izraelit të hakerëve “Team Jorge”, i cili manipulonte zgjedhjet në mbarë botën për para, një grup gazetarësh hulumtues, ku bënin pjesë edhe gazetarë gjermanë të gazetës Die Zeit, tani bëjnë të ditur se i pari i shtetit serb ka shfrytëzuar shërbimet e grupit.

“Vuçiq më pas pretendoi se konkurrenti i tij politik, Gjilas ka fshehur pasurinë në disa banka botërore. Më pas mediat pro-qeveritare raportuan për llogaritë e pretenduara në Mauritius dhe Zvicër. Në fund, rezultoi se ky informacion ishte i falsifikuar”, shkroi mediumi gjerman.

Gazeta më pas përshkruan se si gazetarët e mbledhur në një konsorcium të quajtur “Historitë e Ndaluara” hetuan fshehurazi aktivitetet e grupit “Team Jorge” për muaj të tërë, për të publikuar rezultatet në muajin shkurt. Ajo tërhoqi vëmendjen e mediave botërore.

Sipas gazetës, Vuçiq është përballur me akuza për lidhje me krimin e organizuar. Gjatë vizitës së tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai ka reaguar ndaj akuzave para kamerave të një televizioni pro-qeveritar, duke pretenduar se pas tyre qëndron opozitari.

Sipas Vuçiqit, Gjilas fshehu ilegalisht asetet në disa banka në mbarë botën. Ai premtoi se detajet do të zbulohen së shpejti.

Pak ditë pas kësaj, kujton Zeit, shtypi pro-qeveritar filloi të botojë artikuj rreth llogarive të pretenduara të Gjilasit jashtë vendit. Faqja e parë e një gazete pretendonte se Gjilas kishte fshehur 6.4 milionë euro në Zvicër dhe Mauritius.