Votimi nga jashtë, Dule: Të aplikohet e njëjta praktikë si me numërimin e votës brenda vendit

Deputeti Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit tha se shtetasit shqiptarë në diasporë duhet të votojnë edhe me dokumente përtej datës së skadimit.
“Ka pasiguri në votën e emigrantëve. Qeveria ka ndikim te institucionet që rinovojnë dokumentet e identifikimit, lë shijen se mund të krijohen hapësira për trajtim selektiv të qytetarëve në diasporë. Duhet sa më parë që qeveria të marrë vendimin që pjesëmarrja në zgjedhjet e 11 majit mund të kryhet edhe me dokumentet të cilat janë përtej datës së skadimit”, tha Dule.
Dule u shpreh se duhet të zgjidhet edhe mënyra e numërimit të votës së emigrantëve dhe sipas tij duhet të aplikohet e njëjta praktikë siç ndodh me numërimin e votës brenda vendit.
“Nga ana tjetër është po aq imediate që të zgjidhet edhe hallka e fundit në lidhje me administrimin e votës së emigrantëve se kush do të ketë përgjegjësinë e numërimit të kësaj vote. Nuk mund të vazhdohet me procesin sikur nuk po ndodh asgjë në një kohë që nuk dihet se kush do të jetë i zoti i procesit përfundimtar të numërimit të votës së emigrantëve. Paqartësia vë në pikëpyetje garancinë juridike të integritetit të votës së gjithsecilit. Duhet të aplikohet e njëjta praktikë, siç ndodh me qendrat e votimit në mënyrë fizike edhe me numërimin e votës që do të vijë nga votuesi jashtë vendit”, tha Dule.
Dule i bëri thirrje minoritarëve që jetojnë në Greqi, që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, me qëllim që të zgjidhen problemet që ata kanë.
“Do bëja thirrje që minoriteti grek në Shqipëri që jeton në Greqi të regjistrohet, për të adresuar problemet e tyre, që kanë të bëjnë me pronat e tyre. Emigrantët shqiptarë në Greqi, nga cilido qark i Republikës të jenë, të bashkohen, që problemet e tyre të mund t’i trajtojmë. Të gjithë emigrantët kudo jetojnë të shkundin votën për ndryshimin, është momenti i tyre”, tha Dule.