Krimi makabër në Itali! I riu vrau shqiptaren me gjakftohtësi të madhe, prokuroria kërkon dënimin përjetë për Mark Antony Samson
Romë, 19 maj medial.mk/ – Prokuroria e Romës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Mark Antony Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-partneres së tij, Ilaria Sula, një krim që tronditi opinionin publik në Itali.
Sipas hetimeve, Samson dyshohet se e vrau të renë me thikë në apartamentin e tij në Romë dhe më pas fshehu trupin në një valixhe, të cilën e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina.
Gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në sallën bunker të burgut Rebibbia, prokurorët deklaruan se ngjarja ishte e planifikuar dhe u krye me gjakftohtësi. I akuzuari, i cili ka pranuar krimin, përballet me akuzat për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës.
Sipas organit të akuzës, Samson e kishte thirrur Ilariën në banesën e tij, ku fillimisht e kishte dhunuar fizikisht dhe më pas e kishte goditur disa herë me thikë në qafë.
Prokuroria e përshkroi të riun si person manipulues dhe kontrollues ndaj viktimës gjatë marrëdhënies së tyre, duke theksuar se ai nuk tregoi asnjë pendesë pas krimit.
Në seancë ishin të pranishëm edhe prindërit e Ilarias, të cilët mbështetën kërkesën për dënim maksimal. Mes emocioneve, ata u shprehën se dhimbja e tyre do të jetë e përjetshme, pasi vajza e tyre nuk jeton më, ndërsa autori vazhdon jetën pas hekurave.

