Votimi elektronik në Njësinë 10 në Tiranë dhe në Vorë, KQZ vendos pajisjet për testim nga qytetarët

Zgjedhësit e Njësisë Administrative nr.10, Tiranë dhe të Bashkisë Vorë, në zgjedhjet e datës 11 Maj do të votojnë përmes Pajisjes Elektronike të Votimit dhe Numërimit.

KQZ  ka vendosur qendra informimi ku qytetarët do të mund ta testojnë dhe të familjarizohen me mënyrën e votimit.

Pozicionet ku janë vendosur këto pajisje, janë pranë zonave ku do të votohet me anë të pajisjes elektronike.

Në Tiranë janë të vendosura nga ora 09:00 – 19:00 në rrugën “Myslym Shyri”, pranë Agjencisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, në rrugën e Durrësit, në krye të Rrugës së Ambasadave, në rrugën e Kavajës, në krah të Prefekturës Tiranë.

Ndërsa në Vorë pajisjet për votimin elektronik janë vendosur në rrugën “Demokracia” dhe në ditët të vijim do të jenë të lëvizshme në Prezë dhe Bërxullë.