Von Cramon: Heqja e propozimit për vizat nga agjenda e KE-së është e papranueshme

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi që propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, u hoq nga agjenda e takimit të së mërkurës të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Liberalizimi i vizave është shumë i vonuar dhe duhet të dorëzohet pa kushte, ku heqja e sotme nga agjenda e Këshillit është absolutisht e papranueshme”, ka shkruar von Cramon në faqen e saj zyrtare.

“Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende qëndrojnë në radhë për viza edhe pse regjimi pa viza i është dhënë Nikaraguas apo Venezuelës së (Nicolas) Maduros”.

Pavarësisht se qytetarët e Kosovës duhet të plotësojnë një numër të madh procedurash për t’u pajisur me vizë, Cramon kujtoi se “kushtet janë plotësuar më shumë se 6 vjet më parë dhe janë konfirmuar vazhdimisht nga Komisioni Evropian”.

“Ne besojmë fuqimisht se vendi i Kosovës është në BE dhe shpresojmë se hapi i parë në atë drejtim do të jetë konfirmimi i menjëhershëm i pakushtëzuar i liberalizimit të vizave”, theksoi ajo duke shtuar se “zgjidhja paqësore e krizës aktuale në veri të Kosovës do ta mbështesë më tej këtë rrugë”.

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, u hoq nga agjenda e takimit të ditës së mërkurë të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kështu të paktën ka njoftuar Presidenca Çeke. Arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në Veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e COREPER-it (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian) nuk është ideale”, ka thënë Presicenda çeke e BE-së për Albanian Post.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.

“Presidenca çeke mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e saj, veçanërisht tani para samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshëm të Këshillit”, thuhet më tej në përgjigjen e Presidencës çeke për AP.

“Bëjmë thirrje për një deesaklim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovës në lidhje me targate veturave”.

Ndryshe një ditë më parë përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë. Arsyet e tyre nuk u bënë të qarta.

Sipas propozimit të miratuar të martën, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.