Kështu do të duken fletëvotimet për zgjedhjet e 7 qershorit
Prishtinë, 19 maj, medial.mk/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme mori vendim për miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Fletëvotimi përmban 21 subjektet politike të renditura sipas tërheqjes së numrave rendorë dhe do të përdoret për votimin në përfaqësi diplomatike më 6 qershor dhe në vendvotime në Kosovë më 7 qershor.
Në frymën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Kosovës, përveç gjuhës shqipe dhe serbe, në fletëvotimet e disa komunave do të përdoren edhe gjuhët e komuniteteve tjera. Kështu, në Komunën e Prizrenit, fletëvotimi do të përmbajë udhëzime në gjuhën turke dhe boshnjake; në Komunën e Mamushës në gjuhën turke; në Komunën e Obiliqit në gjuhën rome; ndërsa në Komunën e Dragashit në gjuhën boshnjake.






