VMRO-DPMNE nuk po e bllokon LSDM-në por qytetarët

Shkup, 25 Maj – Opozita maqedonase kryesuar nga VMRO-DPMNE me vërejtje të panumërta proceduriale nuk lejon as të diskutohet rendi i ditës për ligjet e komisioneve, dhe për këtë deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski ka folur në media.

“Po frenojnë dhe mendojnë që vendosin pengesa jo ndaj LSDM-së apo Qeverisë, por qytetarëve”, tha deputeti Kaevski në emisionin “Top Tema” në Televizionin Telma.

Ai shtoi se edhe pse VMRO-DPMNE tha se do të mbështesin ligjet e rëndësishme për qytetarët, ata nuk shfaqin aspak interesim për ligjet për mësuesit, blegtorët, bujqit dhe të tjerë.

Kaevski pyeti deputetet e opozitës maqedonase se mos vallë këto kategori të punëtorëve nuk janë të rëndësishëm për ta?, pasi sipas tij, VMRO-DPMNE po bllokon ligje që sjellin përfitime.

“A nuk janë të rëndësishëm për VMRO-DPMNE-në 4700 mësimdhënës? Ligji për mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesional do të ndryshojë statusin e punësimit të 4700 mësuesve nga “të punësuar të përkohshëm” në “të punësuar me kontratë pa ndërprerje”. Po bllokohen ligjet për pagesën e subvencioneve për blegtorët dhe kultivuesit e duhanit”, tha Kaevski.

Ai shtoi se mazhoranca qeverisëse është e gatshme të diskutojë dhe përmirësojë tekstet e ligjeve, gjë e cila u dëshmua nga numri rekord i amendamenteve të pranuara nga opozita për Buxhetin e 2022.