Vidhte para dhe sende me vlerë nga bagazhet e pasagjerëve në Rinas, arrestohet një nga punonjësit e aeroportit
Policia Kufitare e Rinasit ka arrestuar një nga punonjësit e bagazheve në aeroport, pasi akuzohet për vjedhjen e sendeve me vlerë nga bagazhet e pasagjerëve, ndërsa për një tjetër ka nisur procedimi penal. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë konstatuar pranë kontejnerëve ku ndërrohen punonjësit e bagazheve, njërin nga punonjësit, teksa fshihte bizhuteritë e vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Gjatë kontrollit në hapësirën ku mbanin sendet personale, shtetasi L. Z. dhe punonjësi tjetër i bagazheve, shtetasi M. S., janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve të cilat janë sekuestruar nga Policia.
Policia e Rinasit apelon të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to, dhe i fton të denoncojnë çdo indicie që kanë për këtë paligjshmëri.

