“Venecia” për Xhaçkën, Peleshi: Pozitive për të gjithë, nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi deklaroi sot se mendimi i Komisionit të Venecias ishte pozitiv për të gjithë dhe madje më tepër për minorancën.
Sepse, tha ai duke folur në seancën e sotme plenare të Kuvendit, njeh edhe një herë shumë qartë të drejtën e mazhorancës në rastin e 1/5 për të çuar një mocion drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, nëse Kuvendi ka vendosur ndryshe.
“Në lidhje me rekomandimin e Komisionit të Venecias, nuk marr përsipër të bëj trajtim teknik, pasi nuk vlen, sepse nuk është forumi për të trajtuar një vendim, që në çdo rast është i komplikuar. Dua të them politikisht se kërkesa nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar, çështje të caktuar, apo grup parlamentar të caktuar. Kishte lidhje me Kuvendin”, deklaroi Peleshi, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Ai vlerësoi vendimin e Kryetares së Kuvendit që nuk e futi Komisionin e Venecias në mes të procedurës që kishte Kuvendi për mandatin e Xhaçkës, por pasi mbaroi procedura, në respekt edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës i bëri disa pyetje Komisionit të Venecias që do të na ndihmojnë të gjithëve, jo vetëm Kuvendin, por edhe institucionet e tjera.
“Ne nuk e ngremë si flamur në mënyrë triumfuese atë mendim, sepse ai ishte një mendim pozitiv për të gjithë, edhe për ju, madje më tepër për minorancën, sepse njeh edhe një herë shumë qartë të drejtën e mazhorancën në rastin e 1/5 për të çuar një mocion drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, nëse Kuvendi ka vendosur ndryshe”, tha ai.
Peleshi theksoi se opozita ka lexuar ndryshe nga sa është shkruar dy nene, konkretisht nenin 20 dhe atë 57.
“Kam lexuar statusin tuaj ku përmendni nenin 20 dhe atë 57. Në nenin 20 është hequr mbase rastësisht pjesa: Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare, por nëse Kushtetuta shpall fuqinë e parlamentit për të vendosur mbi një çështje të caktuar, përmbajtja e asaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të imponohet. Kjo është e para, që rastësisht e keni hequr. Te neni 57 keni hequr: Në këtë mënyrë Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që bien brenda kompetencës së tij”, deklaroi Peleshi.