Vdiq gazetari Vladimir Bogoev

Shkup, 5 prill – Gazetari, një nga themeluesit dhe redaktor shumëvjeçar i gazetës “Dnevnik”, Vladimir Bogoev, ka vdekur dje në moshën 61-vjeçare.

Bogoev e mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Shkup, diplomoi në studimet ndërdisiplinore për gazetari në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Karrierën gazetareske e filloi në “Veçer” në vitin 1988, ku punoi deri në themelimin e “Dnevnik” në vitin 1996. Në “Dnevnik” punoi fillimisht si redaktor, e më pas si ndihmëskryeredaktor. Pas themelimit të Media Print Maqedoni, si kompani e përbashkët e “Dnevnik”, “Utrinski Vesnik” dhe “Vest”, ishte ishte pjesë integrale e ekipit menaxhues.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij Stefan Bogoev, nënkryetar i LSDM-së dhe ish-kryetar i Komunës së Karposhit.

“Jam i trishtuar se ai nuk është aty, jam i gëzuar pa masë sepse e kam pasur në jetën time. Njerëzim në çdo kuptim të fjalës, pafundësisht modest dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Faleminderit që je babai im, faleminderit për gjithçka! Një ditë do të jemi sërish bashkë, do të flasim për politikë, do të ngacmohemi për Barçën dhe Realin. Ndërsa deri atëherë, me fjalët e tua Queen, Show most go on”, ka shkruar Stefan Bogoev në Fejsbuk.

Varrimi bëhet nesër, në ora 12, në varrezat në Bardovc, në oborrin e kishës Shën Trinia.