Vazhdojnë protestat rrugore në Iran

Protestat antiqeveritare vazhduan edhe sot nëpër rrugët e qyteteve iraniane, me video të protestuesve në rrugët e qytetit Karaj, në verilindje të Teheranit.

Me tubime protestuese nëpër rrugët, qytetarët e Karajit e shënuan 40-in e zisë për Hadis Naxhafin, një grua e re për të cilën pohohet se është qëlluar dhe vrarë prej forcave të sigurisë më 21 shtator. Autoritetet në Iran e hodhën poshtë përgjegjësinë për vdekjen e saj.

Forcat iraniane të Sigurisë me dhunë i shpërndanë protestat masive në vend të shkaktuara nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq pasi u arrestua për shkak të mosrespektimit të kodit islam të veshjes.

Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, që atëherë janë vrarë mbi 280 persona ndërsa mbi 14 mijë janë arrestuar.