“Van Gogh” në Prishtinë rikthen ditët e fundit të gjeniut
Gjithherë ka diçka për t’u thënë a zbuluar për Van Goghun. E natyrshme, sepse bota e tij është e pakufishme, e mistershme. Edhe një film i tri dekadave më parë, si “Van Gogh” i regjisorit francez Maurice Pialat, hap kapituj të rinj njohjesh e rinjohjesh.
Produksioni francez që ende konsiderohet nga kritikët si një ndër filmat më të mirë për jetën e maestros holandez, është shfaqur të hënën mbrëma në “Kino Armata”, në kuadër të bashkëpunimit me Aleancën Franceze në Prishtinë, Ambasadën e Francës në Kosovë dhe IF Cinema.