Ushtria siriane e ka eliminuar liderin e SHI-së, Kuraishi

Mediat shtetërore siriane njoftuan sot se ushtria siriane është përgjegjëse për eliminimin e liderit të Shtetit Islamik, Abu al-Hasan al-Hashemi al-Kuraishi.

Kuraishi u vra në operacionin e tetorit në provincën jugore Dara të Sirisë.

Për herë të parë, koalicioni i udhëhequr nga SHBA nuk mori pjesë në eliminimin e një udhëheqësi të SHI-së. Është gjithashtu operacioni i parë në pjesën jugore të Sirisë, dhe jo në veri, ku një numër i madh fraksionesh kanë ndikim dhe disa prej tyre mbështeten nga SHBA-ja.

Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA, të cilat po luftojnë kundër SHI-së në Sirinë veriore dhe lindore, thanë dje se nuk ishin të përfshirë në operacion. Pentagoni tha gjithashtu se ushtria amerikane nuk ishte e përfshirë në operacion.

Kryengritja në Siri filloi në Dara në vitin 2011. Ushtria siriane rifitoi kontrollin e provincës në vitin 2018 pas një marrëveshje pajtimi të ndërmjetësuar nga Rusia, në të cilën kryengritësit i dorëzuan armët e tyre të rënda dhe u përfshinë në njësitë pro-qeveritare.