UNICEF përshëndetësi vendimin që nxënësit të kthehen në shkollë derisa vazhdojnë negociatat

Shkup, 4 maj – UNICEF-i mirëpret vendimin e përbashkët të Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vazhdimin e mësimdhënies gjatë procesit negociator edhe në javët në vijim.

“Duke pasur parasysh fillimin me vonesë të vitit shkollor dhe grevën e zgjatur të mësuesve, është e domosdoshme jo vetëm të shmangen humbjet shtesë në mësim, por sistemi arsimor të rimëkëmbet nga kriza ekzistuese në mësim dhe të zbusë dëmet afatgjata në mirëqenien e fëmijëve, zhvillimin e përgjithshëm dhe produktivitetin e shoqërisë. Këto humbje ka të ngjarë të kenë një ndikim negativ te fëmijët sot, por gjithashtu do të ndikojnë në të ardhmen e tyre dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit”, thuhet në kumtesën e UNICEF-it.

UNICEF gjithashtu mirëpret dhe inkurajon përfshirjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve në gjetjen e zgjidhjeve për të kompensuar kohën e humbur në mësim, për të vazhduar mësimdhënien dhe për të gjetur zgjidhje për maturën shtetërore. Në të njëjtën kohë, UNICEF kujton se, veçanërisht në situatat kur fëmijët dhe të rinjtë mbajnë barrën më të madhe, është përgjegjësi e shoqërisë në tërësi të krijojë kushte që ata të shprehin në mënyrë të sigurtë mendimin e tyre onllajn dhe përmes kanaleve të tjera dhe t’u bëjnë thirrje profesionistëve mediatikë për të ruajtur standarde të larta raportimi kur përfshihen fëmijët dhe të rinjtë, si më parë.

“Tani që fëmijët janë kthyer në shkollë, është e nevojshme që mësuesit të vlerësojnë nivelin e njohurive të nxënësve dhe të ofrojnë mësimdhënie të përshtatur me nevojat dhe nivelin e fëmijës për të arritur rezultatet e planifikuara në mësim. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se një vit shkollor realizohet me 172 ditë mësim, dhe jo duke arritur një datë të caktuar në kalendar. Në këtë kontekst, inkurajojmë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të gjejë zgjidhje që vlerësojnë nevojat e ndryshme të nxënësve, duke marrë parasysh interesat më të mira të nxënësve. Me shumë gjasa një fleksibilitet i tillë dhe zgjidhje të ndryshme do të nevojiten për maturën shtetërore, thuhet në kumtesën nga UNICEF.

Edhe një herë, UNICEF mirëpret një zgjidhje të përbashkët që i jep përparësi interesave më të mira të fëmijëve. Gjatë negociatave ndërmjet Qeverisë dhe SASHK-ut, UNICEF inkurajon të gjitha palët e interesuara që të përpiqen për zgjidhje që do të shmangin çdo ndërprerje të mëtejshme në mësimin e fëmijëve dhe të marrin parasysh reformat më të gjera arsimore aq të nevojshme që do të mundësojnë realizimin e të drejtës së fëmijëve për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.