Ukraina në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së bëri thirrje të dënohet anektimi rus
Në fillim të seancës urgjente të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, Ukraina i bëri thirrje bashkësisë botërore për ta dënuar anektimin rus të pjesëve të territorit të saj, me çka ajo e shkeli të drejtën ndërkombëtare.
“Referendumet e ashtuquajtura nuk patën kurrfarë lidhje me atë që ne e quajmë shprehje e vullnetit të popullit, as nga aspekti juridik, as nga aspekti teknik, deklaroi mbrëmë në Nju-Jork”, ambasadori ukrainas në KB, Sergej Kislicja.
Ai ju bëri thirrje anëtarëve të AP të KB-së t’i mbrojnë parimet e Kartës së KB-së.
“Pas delegacionit rus, kur hyn në Asamblenë e Përgjithshme, mbetet një gjurmë gjaku dhe salla mbushet me erën e mishit të kalbur njerëzor. Kjo është ajo që ne toleruam në Siri. Kjo është ajo që po ndodh sot në Ukrainë”, shtoi ambasadori Kislicja.
Ai i bëri thirrje trupit më të lartë në KB të miratojë rezolutë me të cilën kërkohet Rusia ta revokojë anektimin e katër rajoneve pjesërisht të okupuara të Ukrainës.
Sulmet e djeshme me raketa të Moskës në Ukrainë, sipas ambasadorit, edhe njëherë dëshmuan se Rusia është shtet terrorist.
Në fillim të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, Rusia nuk ka arritur në përpjekjet për të detyruar votim të fshehtë për anektimin e saj ilegal të pjesëve të Ukrainës.
Shumicë e madhe prej 193 anëtarëve të OKB-së, saktësisht 107, në fillim të seancës së jashtëzakonshme votuan për një deklaratë publike për projekt-rezolutën për këtë çështje para organit më të madh të OKB-së.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbrëmë filloi debatin për anektimet e fundit të paligjshme të pjesëve të Ukrainës nga Rusia.
Në fund të seancës, e cila për shkak të numrit të madh të folësve mund të zgjatet deri të mërkurën ose të enjten, pritet që shtetet anëtare ta votojnë rezolutën që e dënon Moskën.
Ndryshe nga Këshilli i Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk janë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Rezoluta i dënon “të ashtuquajturat referendume të paligjshme” dhe “përpjekjet për anektim të paligjshëm” të Rusisë dhe u bën thirrje vendeve të mos e njohin këtë akt rus dhe pohon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Mbrëmë vetëm 13 vende kundërshtuan votimin publik, 39 abstenuan dhe Rusia dhe Kina nuk votuan fare.