Të punësuarit në “Tuiter” shtruan padi kolektive kundër Ilon Maskut
Të punësuarit në “Tuiter” shtruan padi kolektive kundër kompanisë pasi pronari i ri i rrjetit social, Ilon Mask, përmes postës elektronike i ka njoftuar se do të përballen me pushime nga puna.
Punonjësit në “Tuiter” kanë filluar të publikojnë në platformë se llogaritë zyrtare të tyre për postë elektronike tashmë janë mbyllur para pushimeve të planifikuara nga puna, publikoi “Si-En-En”. Të tjerë shpërndajnë zemra blu dhe emotikonë, duke e përshkruar në mënyrë ilustrative përshëndetjen e fundit me kompaninë.
Në padi thuhet se kompania “Tuiter” e ka shkelur Ligjin federal për përshtatje dhe rikualifikimin e punonjësve pasi tashmë i ka larguar disa prej të punësuarve të vet.
“Tuiter” i punësoi thuajse 7.500 persona para se Masku ta ndërmarrë kompaninë.
Ligji përkatës kërkon që punëdhënësi, nëse ka më shumë se njëqind punonjës, t’i njoftojë ata 60 ditë përpara vendimit të pushimit nga puna, nëse bëhet fjalë për largim masiv të më shumë se 50 punonjësve nga e njëjta degë.
Njeriu më i pasur në botë bëri të qartë se e konsideron Ligjin e punës “të parëndësishëm”.
“Ne e ngritëm këtë padi federale për të siguruar që “Tuiteri” të shpallet fajtor sipas ligjeve tona dhe për të parandaluar punonjësit që të nënshkruajnë pa dashje pushimet nga puna,” deklaroi për “Si-En-En” Shenon Lis-Riordan, përfaqësuesi ligjor i paditësve.
Miliarderi amerikan e filloi mandatin e tij në “Tuiter” me pushimin nga puna të drejtorit ekzekutiv Parag Agraval si edhe të dy drejtorëve.

