Tasevski realizoi takim me drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL-it, Katrin De Bol

Shkup, 4 maj – Drejtori i Byrosë për siguri publike (BSP), Sasho Tasevski sot në prag të Konferencës rajonale të drejtorëve të shërbimeve policore me temë “Lufta kundër krimit të organizuar: sfida dhe mbështetje”, që prej nesër do të mbahet në Shkup, realizoi takim me drejtorin ekzekutiv të Agjencisë evropiane për zbatim të ligjit – EUROPOL, Katrin De Bol.

Në takim të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Tasevski dhe De Bol biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm mes MPB-së dhe EUROPOL-it dhe mundësitë për avancimin e tij. Është biseduar edhe për menaxhimin efikas të kufijve, parandalimin e emigracionit ilegal, gjendja me Ukrainën dhe refugjatët.

“Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për bashkëpunim operativ dhe strategjik mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe EUROPOL-it, janë intensifikuar aktivitetet operative dhe strategjike për përfaqësim dhe pjesëmarrje më të madhe të vendit tonë në aktivitetet e EUROPOL-it, e tëra me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve dhe produkteve të EUROPOL-it nga ana e organeve relevante kompetente në shtetin tonë. Ky bashkëpunim gjithnjë e më shumë po përforcohet, ndërkaq i pasqyron përpjekjet tona në avancimin e bashkëpunimit rajonal, si një nga prioritetet për kontribut drejt sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit, si dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që më tutje reflektohet edhe në nivel global”, potencoi drejtori Tasevski gjatë bisedës.

Siç kumtuan nga MPB-ja, ai theksoi se vendosja dhe zgjerimi i qasjes drejt aplikacionit SIENA, si kanal i sigurt për këmbimin e informatave drejt një numri të madh të shfrytëzuesve në kuadër të Ministrisë, mundëson intensifikim të bashkëpunimit operativ me EUROPOL-in, vendet anëtare dhe tre partnerët për bashkëpunim.

Sipas drejtorit Tasevski, bashkëpunimi efikas operativ mes të tjerave është mundësuar edhe me pjesëmarrje në dosjet analitike të punës të EUROPOL-it, ku MPB merr pjesë në gjithsej dhjetë projekte nga sfera të ndryshme të krimit.

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë evropiane për zbatim të ligjit – EUROPOL, Katrin De Bol shprehi kënaqësi të veçantë nga bashkëpunimi i deritanishëm i MPB-së me EUROPOL-in, pjesëmarrjen e MPB-së në mbi 26 aktivitete EMRAST dhe këmbim të jashtëzakonshëm të informatave të cilat rezultuan me disa aksione të konsiderueshme dhe sigurim të dëshmive për shumë vepra të kryera penale.

De Bol, qëndron në kumtesën e MPB-së, i prezantoi mundësitë për pjesëmarrje të MPB-së në gjithnjë e më shumë projekte të përbashkëta, ku tashmë janë zhvilluar numër i madh i veglave për luftë kundër krimit ndaj mjedisit jetësor, tregtisë me armë dhe lloje të ndryshme të drogave, krim financiar dhe ekonomik, luftë kundër ekstremizmit dhe ngjashëm, që paraqet bazë të shkëlqyeshme për avancim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit tashmë të intensifikuar të përbashkët.