Tabaku: Procesi i integrimit vetëm në letër, duhet përfshirja e Kuvendit
Tiranë, 9 prill medial.mk/ – Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, i cilësoi sot në Kuvend ndryshimet në Rregullore si shkelje të rënda të bashkëjetesës parlamentare dhe të të drejtave të opozitës.
Sipas Tabakut, ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste janë të njëanshme dhe bien ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e Shqipërisë, e cila sipas saj i ka dhënë të drejtë opozitës.
Ajo shtoi se këto ndryshime cenojnë funksionimin normal të komisioneve parlamentare dhe rolin e opozitës në to. Tabaku nënvizoi gjithashtu edhe mungesën e konsultimit të gjerë për këto ndryshime, duke theksuar se ato kufizojnë hapësirat e opozitës.
“Ndryshimet e rregullores të cilat PD i çoi në GJK me vendim të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë opozitës, janë rasti me flagrant sesi rregullat e bashkëjetesës në këtë Parlament janë shkelur me dy këmbë. Ndryshimet e prezantuar nga PS shkelin edhe të drejtat e komisioneve dhe të kryetarëve të komisioneve të opozitës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër krijojnë superkomisione sikur po ndahen vilajete në Parlament. Nëse Gjykata Kushtetuese do të zbardhë vendimin do të kryejmë një seancë në fund të muajit prill”, u shpreh Tabaku.
“Për ne, ndryshimet e rregullores të njëanshme, që marrin hapësirën e opozitës nuk janë dakordësuar dhe diskutuar në proces të gjerë konsultimi, janë dhe në shkelje të të gjitha parimeve të bashkëjetesës në këtë parlament. Me ndryshimet e rregullores, edhe hapësirat që kanë komisionet që drejtohen nga opozita edhe kjo do të ngushtohet”, tha ajo.
Në vijim, Tabaku ngriti shqetësimin për mungesën e diskutimeve parlamentare mbi raportet ndërkombëtare. Ajo nënvizoi se Kuvendi duhet të fokusohet në çështje thelbësore si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe klima e biznesit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me integrimin europian.
“PD ka prezantuar dhe një mocion me debat sa i përket raportit të DASH. Në fakt po del raporti i ri dhe akoma nuk kemi kryer diskutimin për raportin e parë. Po del raporti i dytë i progresit për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe ne akoma nuk kemi diskutuar për raportin e parë. Më 6 maj Parlamenti Evropian miraton raportin e radhës për procesin e integrimit dhe akoma se kemi kryer diskutimin për raportin e shkuar. Parlamenti duhet të ketë çështje që lidhjen me luftën kundër krimit të organizuar, luftën ndaj korrupsionit, klimën e biznesit që në fund të ditës janë edhe çështje të procesit të integrimit”, tha ajo.
Sipas Tabakut, mungesa e transparencës dhe përfshirjes po dëmton procesin e integrimit.
“Parlamenti ka një vit që nuk merr një raport për integrimin që të diskutohet në komisione të diskutohet në Kuvend dhe i gjithë ky proces është duke u mbajtur jo vetëm burokratik, është duke u mbajtur teknik, i fshehtë, pa gjithëpërfshirje, pa njoftim të parlamentit dhe është e nevojshme që këto çështje parlamenti t’i ketë në rendin e ditës”, vijoi Tabaku.
“Ndodhemi në një udhëkryq të një procesi që po kryhet vetëm në letër, një procesi që nuk ka gjithpërfshirjen e shoqërisë, një procesi që po kryhet pa standarde dhe informimit që duhet të ketë jo vetëm për Parlamentin, por edhe qytetarët”, tha Tabaku.

