Sulmi ndaj ambasadës pakistaneze në Kabul
Një roje e sigurisë është plagosur rëndë në një sulm në ambasadën e Pakistanit në Afganistan. Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit beson se objektivi i sulmit ishte shefi i misionit në Kabul, Ubaid Rehman Nizamani.
Nizamani mbërriti në Kabul muajin e kaluar për të kryesuar një nga ambasadat e pakta që ka vazhduar të funksionojë që kur talebanët morën pushtetin në vend në gusht 2021.
Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif e quajti sulmin një “tentativë për vrasje” dhe kërkoi një hetim dhe veprim kundër autorëve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të autoriteteve talebane në Afganistan e dënoi sulmin. “Emirati Islamik i Afganistanit dënon fuqishëm tentativën për të shtëna dhe sulmin e dështuar ndaj ambasadës pakistaneze në Kabul”, shkroi zëdhënësi në Tuiter.
Sulmi ndaj ambasadës erdhi mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë në zonat në kufi me Afganistanin pasi talebanët pakistanezë njoftuan të hënën se nuk do të respektonin më armëpushimin njëmujor me qeverinë pakistaneze.
Që nga fundi i vitit të kaluar, zyrtarët talebanë në Afganistan kanë ndihmuar në bisedimet e paqes midis luftëtarëve vendas dhe zyrtarëve pakistanezë.
Muajt e fundit janë kryer disa sulme, kryesisht kundër objekteve civile dhe objekteve të administratës talebane.

