Suksesi i premierës “Vallja e paqes” dhe koncerti i 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit
Ansambli është rezultat i flijimit të djemve më të mirë, i sakrificës së brezave të tërë të idealistëve që ruajtën gjuhën, këngën, veshjen, vallen dhe rezultat i një politike afatgjate që në frymën e paqes solli ansamblin dhe të tjera institucione ku veprohet, punohet, udhëhiqet dhe frymohet shqip. Misioni që i kemi vënë vetes në ngritjen e institucionit tonë të shenjtë kombëtar e kulturor po realizohet çdo ditë dhe për këtë padiskuim jo që jam i lumtur unë, por janë krenarë të gjithë ata që e ndjejnë këtë shtëpi si pjesë te tyre, thotë në këtë intervistë, drejtori i Ansamblit dhe Valles dhe Këngëve Shqipe, Shkodran Tolaj.
Z. Tolaj çfarë paraqet “Vallja e paqes” në këtë 20 vjetor të Marrëveshjes së Ohrit?
Vallja e paqes paraqet 20 vite histori, përpjekje dhe momentin e ndaljes së konfliktit të armatosur për të ndërtuar një jetë të re dhe të përbashkët. Kjo valle na kujton se ansambli dhe çdo institucion tjetër, por dhe statusi i shqiptarëve në RMV sot është rezultat i kësaj marrëveshje të protagonistëve të zgjuar që në momente vendimtare ditën të marrin vendime të mëdha për të shpëtuar ardhmërinë e brezave të rinjë tek të cilët duhet ushqyer dashuria për punë dhe për vendin tonë. Jam I lumtur që në këtë 20 vjetor ne arritëm që të sjellim diçka të paimagjinueshme për ansamblin në fillimet e tij por falë një pune permanente që është bërë, madje dhe në kohën më të vështirë – në pandemi, ansambli u konsolidua dhe erdhi në formë që të përballojë kërkesat e koreografit të ri por tejet ekspeditiv Robert Nuha. “Vallja e paqes” me muzikë të Valton Beqiri ishte sfidë për tërë trupën artistike dhe jam shumë i bindur që do mbetet pasuri në arkivat tona nga ky 20 vjetor i Marrëveshjes së Ohrit. Koncerti i organizuar nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie në mes Bashkësive dhe zyra e zv.kryeministrit Grubi në bashkëpunim me ansamblin tonë, i mbajtur me 08 gusht në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe i transmetuar drejtpërdrejt në TVM2 është komentuar si një prej koncerteve më të përgatitura profesionalisht edhe në aspektin konceptual solemn dhe kjo padiskutim që na bën të lumtur.
Ansamblin si e gjetët dhe ku është sot?
Ansambli u krijua dhe themelua në vitin 2018 me vizion largpamës të udhëheqësve të proceseve politike e kulturore që vunë themelet e tij ndërkaq stafi fillestar artistik është përzgjedhur nga ushtruesit e detyrës vetëm dy muaj para se të marr unë mandatin si drejtor në nëntor të vitit 2019. Fatmirësisht që nga koncerti i parë në Tetovë kur oficialisht kam marrë detyrën, kam ideuar në pikëpamjen e imazhit dhe paraqitjes çdo gjë sa I përket paraqitjeve të ansamblit kështu që mund të them me mburrje se është bërë punë e jashtëzakonshme duke e ndjerë edhe kemi obligim profesional edhe kombëtar. Ansambli është produkt i brezave të tërë të idealistëve që ruajtën gjuhën, këngën, veshjen, vallen dhe një politike afatgjate në frymën e paqes që ka sjellur këtë dhe të tjera institucione ku veprohet, flitet, udhëhiqet dhe frymohet shqip. Si në aspektin e koncerteve tematike, ngritjes profesionale të valltarëve, paraqitjeve dhe çmimeve jashtë shtetit siç ishte ai I fundit në Veliko Tarnovo ku ansambli triumfoi dhe mori çmim të parë ashtu edhe në aspektin administrative ansambli ka arritur te krijojë imazhin e institucionit të mirëfilltë I cili sot punon sipas standardeve artistike e programore, rregulloreve administrative dhe ka të zgjidhur edhe çështjen e objektit dhe adresës oficiale. Jam I lumtur që pa mbushur ende dy vite nga funksionimi I mirëfilltë është fituar jo vetëm respekt e admirim në masë por si institucion ka kaluar në krenari për çdo shqiptar.
Megjithatë nuk është e lehtë që në rrethana ballkanike dhe në një kohë pandemie të bëhet art? Si ia dolët?
Brezat e shkuar dhe gjeneratat para nesh kanë bërë edhe më shumë andaj gabohet secili që mendon se historia fillon dhe mbaron me individë. Neve nuk na duhet megalomania dhe “ndreqja e qejfeve” sipas grupacioneve e lokaliteteve, neve na duhet rregull, punë e disiplinë për të ecur përpara. Çdo rrugë niset lehtë por është e vështirë ti dilet në krye. Megjithatë kur qëllimi është i mbarë s’ka gjë që të ndalon në përmbushjen e plotë të misioneve. Me artin, punën dhe kriteret skam bërë kurrë kompromis dhe kjo mbetet formula e punës sime si në karrierë individuale ashtu edhe në atë menaxheriale dhe udhëheqëse. Vitet më kanë treguar që kjo mënyrë është më e vështirë por është garanca e vetme e suksesit afatgjatë. Roli I profesionistit të vërtetë është të punojë dhe ajo punë të flet vet, njëkohësisht të jetë I gatshëm për punë maratonike në staza të gjata pa u dorëzuar asnjëherë. Ansambli pavarësisht kohës së vështirë, sot numëron koncerte tematike që kanë arkivuar krijimtarin e Musa Piperkut, Lorenc Antonit, Trio Zajazit, koncert të jashtëzakonshëm dedikuar Ilir Shaqirit, numëron valle të vecanta si “Malësorja” e “ Vallja e paqes”, pjesëmarrje në evenimente qendrore shtetërore,koncerte në Kosovë, Mal te Zi, Emiratet Arabe, çmim të parë në Bullgari dhe një mori punësh artistike e administrative që publiku i ka ndjekur vazhdimisht dhe janë pasqyruar në të gjitha mediat shqiptare dhe disa media të huaja. Deri në fund të vitit na presin pjesëmarrje jashtë shtetit dhe shumë punë e projekte që kanë filluar të realizohen dhe duhet të finalizohen.
Z. Tolaj, ku gjeni energjinë që përveç një drejtues i jashtëzakonshëm dhe shumë i suksesshëm i ansamblit të jeni prezent edhe në skenë? Përmendim vetëm dy nga projektet e fundit “Nga Shkupi në Prekaz” dhe “ Shkupi dardan” që janë madhështore si dhe pjesëmarrjet në “Këngë moj”?
U bënë shumë vite në skenë dhe interpretimi ka kaluar në pjesë organike tek unë si artist dhe një ushqim i vazhdueshëm që më mban gjallë. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që drejtuesit e institucioneve kulturore të jenë vet artistë sepse e ndjejnë ndryshe çdo eveniment që ndërtojnë. Sa i përket projekteve që përmendët ato kanë ardhur, sepse i ka kërkuar koha e momenti. Janë projekte me peshë, të cilat i janë dedikuar 7 marsit dhe Adem Jasharit që transmeton një bashkim shpirtëror shqiptar dhe një kujtesë kolektive për historinë tonë të lavdishme si dhe “Shkupi dardan” për 109 vjetorin e çlirimit të Shkupit që u festua me 12 gusht. Vazhdimisht vinë ftesa, një pjese të se cilave për hir të së vërtetës edhe nuk kam mundur çdoherë tu përgjigjem, por do veçoj spektaklin në Tiranë “Këngë moj” dhe performancat live të këngëve “Fjalët e qiririt”, “Sefë Kosharja”, “Çpo i bjen era retë e zeza”, të cilat janë pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Kur ekziston dashuria për punë dhe kur është krijuar shprehia e punës të gjitha arrihen.
Për fund çfarë do na thoni?
Iu falënderoj përzemërsisht dhe jam i nderuar që “Koha” na mbështet sepse realisht ka mbetur medium shumë serioz pavarësisht tranzicioneve në media, kulturë e çdo fushë. Ansambli është rezultat i flijimit të djemve më të mirë, të sakrificës së idealistëve të të gjitha shoqërive andaj bashkë me profesionistë të fushës si deri më sot do të vazhdojmë me tempon e shpejtë të ngritjes artistike që të jemi jo vetëm në hap me Ballkanin por edhe me Evropën dhe proceset kulturore të institucioneve të cilat janë krijuar dekada më parë. Misioni që i kemi vënë vetes në ngritjen e institucionit tonë të shenjtë kombëtar e kulturor po realizohet çdo ditë dhe për këtë padiskutim jo që jam i lumtur unë, por janë krenarë të gjithë ata që e ndjejnë këtë shtëpi si pjesë te tyre.