Subvencionet në Bujqësi, Kuçi për ATSH-në: Rekord, 8600 fermerë aplikuan në ditën e parë

Në ditën e parë, nga data e çeljes së aplikimeve, kemi marrë 8600 aplikime të fermerëve, për të përfituar subvencione nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, tha për ATSH-në se, “2 183 aplikime janë për masën mbështetëse me karburant dhe 6 417 aplikime të fermerëve janë për masat nga 1 deri 7 (mbështetje për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve; për tufën bazë të matrikulluar të të imtave; mbarështim i bletarisë; për fara, fidanë dhe inpute të tjera; për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike; për fermat organike dhe certifikimi Global GAP)”.

Fermerët kanë aplikuar online në portalin e-Albania, për një nga tetë masat mbështetëse që ofron kjo skemë, me zero dokumente dhe zero kosto.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi u jep mundësi të gjithë fermerëve të aplikojnë online në e-Albania për të përfituar direkt nga mbështetja financiare e qeverisë shqiptare. Aplikimet nisën në datën 14 prill dhe përfundojnë më 30 maj.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.

Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës, Beratit etj.