Stuhia e dimrit në SHBA: 200 milionë amerikanë në alarm, 12 viktima

Rreth 200 milionë amerikanë po ndiejnë presionin e akullt të një stuhie dimërore që u ka marrë jetën të paktën 12 personave përpara fundjavës së festave.

Më shumë se 1.5 milionë njerëz gjithashtu janë pa energji elektrike dhe mijëra fluturime u anuluan të premten. Stuhia e madhe shtrihet më shumë se (3,200 km) nga Teksasi në Quebec.

Cikloni bombë, që ndodh kur presioni atmosferik bie, ka sjellë kushte stuhie në Liqenet e Mëdha në kufirin SHBA-Kanada. Pjesa më e madhe e vendit, është nën paralajmërimet për të ftohtin ekstrem dhe stuhi dimërore.

Në Dakotën e Jugut, amerikanët vendas iu desh të digjnin edhe rrobat për t’u ngrohur pasi iu mbaruan alterantivat e tjera.

Reshje të dendura bore parashikohen edhe në zonat e Pensilvanisë dhe Miçiganit. Ndërkohë që në Nju Jork dhe Nju Xhersi ka pasur përmbytje.

Stuhia ka shkaktuar edhe shumë aksidente rrugore, ku në një rast të rëndë 50 makina në Ohio u përplasën e si pasojë 2 shoferë humbën jetën.

Problemet e udhëtimit në të gjithë vendin po përkeqësohen edhe më shumë nga mungesa e operatorëve të pastrimit të borës.

Stuhia që ka pllakosur Amerikën, është quajtur nga sinoptikanët si një ngjarje moti që ndodh njëherë në një gjeneratë.