Stacioni Hapësinor i Kinës: U krye testimi para nisjes i modulit laboratorik Mengtian
Testimi i gjithë sistemit për fluturimin e ardhshëm të modulit laboratorik Mengtian të Stacionit Hapësinor të Kinës u krye të shtunën në Qendrën e Lëshimit Wenchang në provincën Hainan të Kinës Jugore.
Testi para nisjes ishte për të vlerësuar funksionimin e Mengtian-it dhe koordinimin midis sistemeve të ndryshme, përpara se moduli laboratorik të dërgohej në orbitë në një kohë të përshtatshme në të ardhmen e afërt.
Testimi përfshiu Qendrën e Kontrollit në Pekin, Qendrën e Lëshimit në Wenchang, Qendrën e Kontrollit në Xi’an në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore dhe të gjitha stacionet e monitorimit dhe anijet vëzhguese.
Foto:VCG
“Testi i përbashkët i të gjithë sistemit, ka për qëllim kryesisht verifikimin e bashkërenditjes dhe funksionimin e të gjitha sistemeve. Kryerja si duhet e testimit vërteton se gjithçka është gati për lëshimin e Mengtian-it. Moduli laboratorik, sikurse edhe ne, jemi në pritje të nisjes zyrtare të misionit”, – tha Wang Saijin, zv/kryeinxhinier në Qendrën e Kontrollit në Pekin.
Kombinimi i modulit laboratorik dhe raketës transportese “Marshimi i Madh-5B Y4” u dërguan të martën në platformën e lëshimit.
Mengtian do të thotë “Ëndrrat e Qiellit”. Ai është krijuar kryesisht për eksperimente shkencore. Ndryshe nga Tianhe dhe Wentian, ai nuk ka një kabinë gjumi. Në vend të kësaj, është plot me kabinete për qindra eksperimente.(Zhang Yan)