Specializantët të pakënaqur, ankohen se po u ndërrohet vendi ku duhet të shërbejnë për vaksinim
Me planin për veprim për vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte planifikuar të fuqizojë kapacitetet njerëzore, duke angazhuar staf mjekësor, rreth 190 specializantë dhe rekrutimin e 422 infermierëve.
Megjithëse u angazhuan, specializantët shprehen të pakënaqur me procesin e vaksinimit.
Njëri nga specializantët e angazhuar nga MSH, në kushte anonimiteti deklaroi për Telegrafin, se procesi i vaksinimit po përcillet me parregullsi të shumta rreth menaxhimit.
“MSH në procesin e vaksinimit ka angazhuar nga dy muaj secilin specializant, përkundër që është interes nacional dhe askush nuk e refuzon po vazhdon të përcillet me parregullsi në kuptimin e menaxhimit. Fillimisht ne kemi dhënë adresat tona të vendbanimeve që na janë kërkuar. Problemi ynë qëndron në caktimin e komunave ku kemi shërbye, kemi kolegë nga Prishtina me vendbanim dhe janë dërguar në Prizren. Tash, llogarit kohën, lodhjen, udhëtimin çdo ditë, për aq kilometra pa pagesë edhe sikur të ishte me pagesë, kjo tejkalon pagën tonë sepse harxhimet janë të larta. Pra, përkundër kërkesave tona të vazhdueshme ata na rikthy e-mail me kërcënime se kush nuk merr pjesë në vaksinim do të pasojë dënimi dhe ndëshkimi sipas ligjeve në fuqi”, deklaroi ai.
Tutje, specializanti, i cili kërkoi të mos bëhet publike emri i tij, tha se ai po detyrohet të shërbejë në Mitrovicë, përkundër se vendbanimi i tij është në Prishtinë.
“Unë për shembull vendbanimin e kam në Prishtinë, jam caktuar në Mitrovicë, edhe vendbanimin e kanë cek që jam nga Mitrovica, ju kam treguar që nuk jam dhe ju kam kërkuar që të më rikthejnë në komunën ku jetoj ose në regjionin e Prishtinës që përfshinë komunat e saj”, shtoi ai.
Ndërkaq, në email të cilën kanë pranuar specializantët nga MSH, thuhet se nëse specializantët nuk paraqiten në qendrën e vaksinimit, atëherë ndaj tyre do të merren masa. /Telegrafi/