SPAK nis hetimet për Ilir Metën, dyshohet për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës

SPAK ka nisur hetimet për ish-presidentin shqiptar Ilir Meta.

Euronews Albania ka publikuar shkresën ku SPAK i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën, bazuar në ligjin e dekriminalizimit.

SPAK sqaron se kërkesa e drejtuar KQZ për një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.

“Për nevojë të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të dorëzuar nga ish-deputeti Ilir Meta”, thuhet në kërkesën e SPAK, që mban firmën e Arben Krajës.

Më 7 qershor, ish-deputeti Halit Valteri depozitoi në SPAK një kallëzim penal për ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin dhe Vangjel Tavon.

Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.